Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një kafene në fshatin Runik të Skenderajt, ku si pasojë e të shtënave ka humbur jetën 39-vjeçari, Nexhmedin Loshi dhe kanë mbetur të plagosur tre të tjerë.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të tre të plagosurve, ka folur për Gazetën Sinjali drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, i cili tha se njëri prej të plagosurve ka qenë në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve i është amputuar këmba.
“Njërit sipas ekipit kujdestar, në bashkëpunim me kirurgun vaskular, ia kanë amputu këmbën dhe dy të tjerë janë duke u trajtu ende në Emergjencë”, tha Jashanica.
Dy të plagosurit e tjerë, sipas drejtorit të Ortopedisë, kanë marrë plagë nga arma e zjarrit në gju dhe në shputën e këmbës dhe ata janë jashtë rrezikut për jetë.
“Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë, kanë lëndime në gju edhe në shputë”, tha më tej Jashanica për Sinjalin.