Reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy, është paraqitur sot në stacionin policor në Pejë.
Lajmin e ka bërë të ditur për Express, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Nikçi ka thënë se prokurori i rastit pritet të lëshojë aktvendim për ndalimin për 48 orë të reperit nga Shqipëria.
I dyshuar për përfshirjen në sulmin brutal fizik ndaj Medi Isenit, më 2 gusht të këtij viti në Pejë, Noizy ishte arratisur nga Kosova për t’u arrestuar në Shqipëri pesë ditë më vonë.
Reperi ishte arrestuar në Shëngjin, në afërsi të Lezhës.
Ai ishte mbajtur në arrest me burg deri, më 16 gusht, kur Gjykata e Durrësit e kishte liruar pasi reperi kishte ofruar dorëzani në vlerë 50 mijë euro.
Për të njëjtin rast, i dyshuar është edhe reperi tjetër nga Shqipëria, Arkimed Lushaj – Stresi.