E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Nora Gjakova jep lajmin e rëndësishëm për karrierën e saj

Ishte Grand Slami në Baku të Azerbajxhanit, më 16 shkurt të këtij viti, ku Nora Gjakova po shfaqte formë shumë të mirë dhe po dëshmohej kandidate serioze për medalje në Lojërat Olimpike në Paris. Rreshtoi tri fitore, të tretën ndaj serbes Marica Perishiq.

Në gjysmëfinale përballë e kishte holandezen Julie Beurskens. Ndaj saj realizoi herët aksion për uazari. Epërsinë, zakonisht Nora e ka ruajtur pa telashe. Por jo në atë luftë. Pati vështirësi të shumta dhe mezi shmangu dënimin e tretë deri në fund. Menjëherë u kuptua se kishte pësuar lëndim muskulor. Lëndimin e kishte pësuar që në minutën e dytë e më pas për më shumë se dy minuta kishte luftuar e lënduar. Në finale ndaj Christa Deguchi të Kanadasë nuk kishte mundur të paraqitej. E fitoi medaljen e argjendtë. Në podium mezi u ngrit e mezi zbriti prej tij.

Dëmi ishte i madh. Kjo u kuptua më pas. Në Lojërat Olimpike të Parisit u ndal në luftën e parë, që ishte befasi e madhe. Përkundër përpjekjeve maksimale të Norës dhe të ekipit të Kosovës në xhudo, forma e saj në Paris, për shkak të atij lëndimi të pësuar në muajin shkurt, nuk ishte e duhura.

Në Paris, por edhe në javët më pas, Nora Gjakova shmangu kontaktin me mediat dhe daljet publike. Nuk ishte e sigurt nëse do të vazhdonte karrierën apo do të tërhiqej. Gjasat vlerësoheshin më të mëdha që t’i jepte fund karrierës impresive.

Por Nora tashmë ka një vendim. Ajo ka bërë të ditur të mërkurën për KOHËN se do të garojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

“Dëshira ime është të marr pjesë edhe në dy gara – Kampionatin Evropian dhe Kampionatin Botëror të vitit 2025. Dhe pastaj ta përfundoj karrierën si sportiste”, ka thënë Nora Gjakova.

Rrugëtimin e mahnitshëm në sportin e xhudos, Nora nuk dëshiron ta përfundojë me garën në Paris. Ajo ishte mposhtur nga mongolezja Enkhriilen Lkhagvatogoo. Lufta ishte vendosur me dënime.

“Pas një muaji pushim, jam kthyer në stërvitje. Është pothuajse e pamundur në këtë fillim të kem vullnetin e njëjtë. Por po mundohem ngadalë të kthehem në rutinën që e kam pasur”, thotë xhudistja pejane.

Për herë të dytë Norës i mungoi fati në Lojëra Olimpike. Në “Rio 2016” ishte paraqitur e lënduar. Dhe ishte ndalur në luftën e dytë. Por në Tokio në vitin 2021, Nora nuk kishte telashe me lëndime. Dhe arriti suksesin më të madh të mundshëm në sport – fitoi medaljen e artë olimpike. Kështu sakrifica dhe puna e pakrahasueshme për shumë e shumë vjet u shpërblyen për Norën. Pas shumë medaljeve evropiane dhe medaljes botërore ajo po fitonte medaljen më të vlefshme të mundshme në sport, të artën olimpike.

Synimi ishte të fitonte tjetër medalje në Paris, ndonëse kjo dihej se ishte sfidë e madhe. Puna me kryemjeshtrin Driton Kuka sërish ishte e nivelit më të lartë, por lëndimi i muajit shkurt prishi planet. Për shkak të lëndimit, sukses mund të llogaritet vetëm pjesëmarrja në Lojërat e Parisit.

“Jam lënduar në kohën më të keqe, para Lojërave Olimpike. Operimi nuk ishte opsion për shkak të kohës së shkurtër. Sa i takon rikuperimit jo-operativ, për lëndimin që e kam pasur nuk kishte raste të tilla në sportin e xhudos, ku kam mundur të mbështetem. Prandaj më është dashur të ushtroj pesë orë në ditë që të marr pjesë në Paris”, ka treguar Nora Gjakova.

Pas lëndimit në muajin shkurt, Nora garoi vetëm në Lima të Perusë, më 22 qershor. I shënoi dy fitore, por që nuk ishin ndonjë test shumë serioz për formën e saj fizike. Ajo bëri udhëtimin e gjatë për të fituar pikët që i duheshin për përmirësim në ranglistë, me synim që në Paris të kishte rrugë më të përshtatshme. Ndonëse shpresohej se lëndimi ishte sanuar me kohë, mungesa e gjatë nga garat dhe fokusi i plotë për të kaluar lëndimin muskulor e bënë të veten.

Norën, megjithatë, do ta shohim sërish në tatami. Botërori i vitit të ardhshëm mbahet në Budapest të Hungarisë prej 13 deri më 19 qershor. Evropiani mbahet më herët, në prill në Podgoricë.

Pjesë shumë e rëndësishme e ekipit të Kosovës në xhudo është vëllai i Norës, Akil Gjakova. Karrierë të suksesshme synon edhe motra e saj, Dëbora, që fitoi medalje të artë ballkanike javë më parë. Nora thotë se është kënaqësi të ndajë rrugëtimin në xhudo me vëlla e motër, por se kjo nuk ndikon në vendimet që i merr.

Lista e sukseseve të 32-vjeçares është shumë e gjatë. Synimet janë që në koleksionin e pasur të shtojë ende medalje nga garat e rëndësishme.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer