E enjte, 21 Nëntor, 2024

“Nuk kishte kohë për rishpallje të konkursit”, Universiteti i Gjilanit konfirmon angazhimin e Ramabajës pa “kunkurru”

Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” në një përgjigje ka konfirmuar angazhimin e Sadri Ramabajës, duke konfirmuar kështu se, tani profesori, është angazhuar pa konkurs. Universiteti është arsyetuar se për shkak të dinamikave nuk ka pasur kohë për rishpallje të konkursit.

Paparaci të mërkurën ka raportuar se anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë i ka filluar ligjëratat para studentëve të Fakultetit Juridik të këtij universiteti publik.

Punësimi i Ramabajës në universitetin publik, rektor i të cilit vitin e kaluar u emërua një tjetër anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dërmaku.

Dëshmitë publike dhe dokumente të tjera të cilat i ka siguruar Paparaci, tregojnë se opinionisti i studiove televizive është angazhuar si ligjërues i dy lëndëve “Hyrje në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe “Sistemi politik i Kosovës”.

Ndërkaq, të enjten, Universiteti i Gjilanit ka kthyer përgjigje, duke sqaruar mënyrën e angazhimit të analistit politik si profesor.

Universiteti i Gjilanit ka sqaruar se angazhimi i Ramabajës ishte bërë për shkak të një vendi të lirë.

“Ramabaja është angazhuar në Universitet konform Statututit te Universitetit “Kadri Zeka”, neni 72 dhe neni 76, si dhe Rregulloren e miratuar nga Senati i Universitetit Publik “Kadri Zeka” Gjilan, “Mbi procedurat e angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm – me honorar në Universitetin Publik ‘Kadri Zeka’ Gjilan” (Ref. Nr. 01/1473, dt. 09.07.2021), konkretisht Nenin 5, i cili përcakton se (citim): ‘Ne rastet kur, për arsye të ndryshme që mund të ndodhin, pasi të ketë filluar semestri, mbetet vakante ndonjë pozitë (lëndë) që nuk mund të mbulohet me stafin e rregullt ose stafin e angazhuar sipas konkursit, atëherë me një arsyetim të bazuar të Dekanit, Rektori vendos që të bëjë angazhim të stafit të jashtëm, i cili përmbush kriteret e domosdoshme sipas kësaj rregullore’”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Gjilanit.

Ramabaja, që ia kishte mësyer konkursit për angazhim të stafit akademik të shpallur nga universiteti në shtator të këtij viti, e kishte tërhequr aplikacionin e tij për angazhim si bashkëpunëtor, asistent për lëndët nga fusha histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Kjo lëvizje e tij kishte ngjarë diku në mes të procesit konkurrues.

Një raport i komisionit për zgjedhjen e stafit akademik për angazhim në semestrin dimëror 2024/2025, i publikuar më 7 tetor të këtij viti, zbulon se Ramabaja ishte tërhequr nga intervista.

“Kandidati tërhiqet nga intervista”, thuhet në raportin e komisionit recenzues.

Universiteti i Gjilanit është arsyetuar se Ramabaja kishte aplikuar në Fakultetin e Shkencave Sociale për mbajtjen e ushtrimeve në lëndë të caktuara, ndërkaq, ka konfirmuar angazhimin e tij në lëndët për të cilat ka raportuar Paparaci.

“Sapo ka kuptuar se aplikimi i tij ka të bëj vetëm me ushtrime dhe jo ligjerata, prof.Ramabaja është tërhequr vullnetarisht nga konkursi”, thuhet në përgjigjen e Universitetit.

“Pas përfundimit te konkursit për semestrin dimeror, konform nenit 5 të rregullores “Mbi procedurat e angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm – me honorar në Universitetin Publik ‘Kadri Zeka’ Gjilan” (Ref. Nr. 01/1473, dt. 09.07.2021), konkretisht Nenit 5, Dekanja e Fakultetit Juridik ka dorëzuar një kërkesë të arsyetuar dhe të protokolluar (e cila gjendet në arkivën e universitetit) për mbulimin e dy lëndëve që kanë mbetur të pambuluara ne Fakultetin Juridik. Këto lëndë janë: Hyrje në Marrëdhëniet Ndërkombëtare (semestri I, lëndë zgjedhore, 2 orë); Sistemi Politik i Kosovës (semestri V, lëndë zgjedhore, 2 orë)”, thuhej në përgjigje.

Universiteti është arsyetuar se pozita në Fakultetin Juridik ishte krijuar për shkak të kalimit të një profesori të rregullt në pozitë të re menaxheriale.

“Këto vakanca në Fakultetin Juridik janë krijuar për shkak të kalimit të një profesori të rregullt në një pozitë të re menaxheriale, duke e bërë të pamundur mbulimin e lëndëve përkatëse. Për shkak të dinamikës dhe afateve kohore, rishpallja e një konkursi të ri publik ishte praktikisht e pamundur. Prandaj, për të shmangur ndërprerjen e procesit mësimor dhe dëmtimin e cilësisë së mësimdhënies, nga Dekanja e Fakultetit Juridik është propozuar që Dr.Sc. Sadri Ramabaja t’i mbuloj këto dy lëndë njësemestrale, pasi që është i fushes përkatëse dhe ky angazhim është miratuar gjithëherë bazuar në Rregulloren ‘Mbi procedurat e angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm – me honorar në Universitetin Publik ‘Kadri Zeka’ Gjilan” (Ref. Nr. 01/1473, dt. 09.07.2021), konkretisht Nenin 5, e cila gjendet e publikuar ne webfaqen e Universitetit”, është arsyetuar Universiteti i Gjilanit.

Sipas këtij universiteti, “Për më tepër, është me rëndësi të theksohet se lëndët për të cilat është angazhuar Dr. Sc. Sadri Ramabaja në Fakultetin Juridik nuk janë të njëjta me ato për të cilat ai ka aplikuar më herët në Fakultetin e Shkencave Sociale”.

“Ky angazhim është ekskluzivisht për një semestër dhe në asnjë rast nuk përbën punësim të rregullt. Gjithashtu ky angazhim është si proces komplet i ri dhe s’ka asgjë të bëj me konkursin paraprak”, thuhej në përgjigje.

Në konkursin dimëror 2024/25 në UKZ janë angazhuar gjithsej 18 profesorë dhe 45 asistentë të angazhuar, kurse vetëm në Fakultetin Juridik janë angazhuar 5 profesorë dhe 6 asistentë.

“Vlen te theksohet se angazhime të ngjashme të stafit të jashtëm sipas nenit 5 të rregullores (Ref. Nr. 01/1473, dt. 09.07.2021) janë realizuar në rreth 10 raste të tjera në universitet, te gjitha keto me propozime nga Dekanatet përkatëse, kur pozitat kanë mbetur vakante edhe pas përfundimit të konkursit publik. Këto angazhime janë bërë në përputhje të plotë me dispozitat e Rregullores së lartpërmendur dhe janë miratuar nga organet kompetente të universitetit”, është arsyetuar Universiteti i Gjilanit.

Sadri Ramabaja ka thënë se “nuk ka nevojë fare” të deklarohet për procesin e angazhimit të tij në universitetin publik.

“Nuk ka nevojë fare. Falemnderit për kujdesin që keni”, ka thënë Ramabaja në një përgjigje të shkurtër me shkrim për Paparacin të mërkurën.

Universiteti i Gjilanit udhëhiqet nga Artan Dërmaku, një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet të cilës i përket edhe Sadri Ramabaja.

Dërmaku, mban pozitën e rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” nga korriku i vitit 2023. Ai ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2018, ku ishte prezantuar nga kryetari Albin Kurti si “shoku i tij i studimeve”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer