Oligarku nga Shqipëria, Saimir Mane ka thënë se njëra nga marrëveshjet më të shtrenjta të cilat i ka ‘mbyllur’ është ajo e shitjes së ndërmarrjes metalurgjike Ferronikeli në Kosovë.
Në një deklarim për portalin Nacionale, Mane ka thënë se marrëveshja më e shtrenjtë të cilën e ka lidhur ka kapur vlerën e 150 milionë eurove.
Ai ka përmendur shitjen e Ferronikelit te një kompani turke. Ka thënë se kjo marrëveshja nuk ka qenë saktësisht në vlerën e 150 milionë eurove, por se “ka qenë pak më pak”.
“Marrëveshja më e shtrenjtë mund të jetë 150 milionë. Një nga këto marrëveshjet ka qenë ajo për shitjen e minierave të Ferroniklit në Kosovë. Nuk ka qenë kjo saktësisht 150 milionë, ka qenë më pak por ka të tjera”, ka thënë Mane.
Saimir Mane është pronar i ‘Balfin Group’, një gjiganti investues me bazë në Tiranë.
Balfin, është grup investues në pronësi të Saimir Manes, që njihet si njëri nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri dhe pronar i një rrjeti biznesesh edhe në Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, ShBA dhe Greqi.
Grupi i kompanive Balfin ushtron aktivitet në fushat e minierave, tregtisë me pakicë, bankave dhe ndërtimit.
Operacionet e ‘Balfin Group’ të Manes janë të shtrira edhe në Kosovë, ku grupi drejton dy biznese, bazuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Në ARBK, kompania e oligarkut Mane del se operon në tregun e Kosovës me kompanitë ‘Neptun Kosova Sh.P.K.’ dhe ‘Kid Zone Sh.P.K.”.
Më parë, në vitin 2018, grupi ‘Balfin’ e kishte blerë gjigantin metalurgjik të Kosovës, Ferronikeli dhe dy vite më vonë ishte përfshirë në një skandal të madh.
Administrata Tatimore e Kosovës ia kishte fshirë një borxh disa milionësh kompanisë së miliarderit nga Shqipëria që e menaxhonte Ferronikelin. Bëhet fjalë për një borxh tatimor rreth shtatë milionë euro, që i ishte hequr kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C, që asokohe menaxhohej nga NKL Limited.
Afarizmi i pronarit të mëhershëm të NewCo Ferronikelit kishte zhytur ndërmarrjen në mbi 8 milionë euro borxhe tatimore. Mane, kishte marrë përsipër edhe shlyerjen e borxheve që Ferronikeli kishte ndaj palëve të treta.
Megjithatë, në vend të shlyerjes së këtij borxhi ndaj shtetit të Kosovës, kompania tashmë në pronësi të oligarkut Mane, kishte përzgjedhur një rrugë tjetër. Kishte vendosur të mos e njihte këtë borxh. Si rrjedhojë, ATK-ja ia kishte fshirë borxhin 7 milionësh.