Punësimet përmes lidhjeve familjare apo përkatësisë partiake vazhdojnë të jenë shqetësim për qytetarët në Kosovë. Disa nga qytetarët e pyetur për këtë çështje thonë se asgjë nuk ndryshoi në këtë drejtim dhe kjo është një ndër arsyeje pse ata po vazhdojnë të dalin jashtë vendit.
Ndërkohë, partia në pushtet e mohon një gjë të tillë ndërsa deputetë nga opozita thonë se nepotizmi dhe korrupsioni është bërë normalitet për pushtetin.
“Ka nuk janë ndalë secilën qeveri ka, njësoj kurfar përmirësimi ska… për qata po ikin nëse ska punë duhet me ikë”, tha një qytetar.
“Po jo mor nepotizmi është n’gjak është kulturë e jona është e njejtë s’ka ndryshu kurgjo. Ka ndryshu rrotacioni i pushtetit, por jo njerëzit”, tha një qytetar.
“Mu nisë vet nga organet e drejtësisë ka intervenime, ka lidhje, ka korrupsion, ka keqpërdorime…”, tha një tjetër qytetar.
Përkundër se qytetarët pasqyrojnë një realitet tjetër, partia në pushtet thotë se qeveria aktuale po e lufton nepotizmin nëpër institucionet publike.
“Po pa dyshim që po, nuk mund të themi që është zhdukë por nuk mund të bëjmë krahasim me vitet e kaluara nuk është në atë masë që ka qenë”, tha Fjolla Ujkani, deputete e LVV-së.
Pretendimet e LVV-së për çrrënjosje të nepotizmit, i hedh poshtë partia më e madhe opozitare PDK, e cila po ashtu është kritikuar për këtë fenomen gjatë kohës sa ishte në pushtet.
Deputetja Ganimete Musliu, thotë se LVV-ja jo vetëm që nuk po e lufton nepotizmin, por siç shprehet ajo, korrupsioni dhe nepotizmi janë kthyer në normë për këtë qeveri.
“Fatkeqësisht nepotizmi ka kalu në një shkallë tjetër de nivel tjetër si nepotizmi edhe korrupsioni ka kalu në formë tjetër nëse në të kaluarën na kanë akuzu pa bazë për nepotizëm në njëfar forme u skuqshim ose u distancojshim ndërsa sot përveç që ka shënu rritje nepotizmi sot partia në pushtet e mbështetë atë dhe sulmon të gjithë ata që e bajnë transparente ato raste.. këta skishin as marre e asnjë fije të përgjegjësisë dhe në mënyrë të organizume i mbështesin qoftë nepotizimin qoftë korrupsionin”, tha Musliu për RTV21.
Edhe sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, nepotizmi është thelluar dhe më shumë me qeverinë aktuale.
“Sa i përket nepotzimit mendoj që kjo qeveri edhe pse ka premtuar që do ta bëjë një gjë të tillë do ta luftoj nepotizmin ajo tashmë e ka përforcu në çdo pore të institucioneve me nje fjalë është thellu edhe më tëpër nepotizmi”, tha Lekaj.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë Safet Gërxhaliu, thotë se nepotzimi është kthyer në një fenomen shqetësuese dhe demotivues për të rinjtë.
Sipas hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare, mungesa e mundësive për punësim, nepotizmi dhe korrupsioni, mbeten tri sfidat kryesore për institucionet dhe shoqërinë./21Media