Wednesday, August 6, 2025

Opozita në Skenderaj e akuzon pushtetin lokal për afërsinë me “Rukollin”

Këshilltari komunal nga Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, thotë se kjo rritje e afatit kohor për shfrytëzimin e pronës komunale nuk ka përfitime për komunën, por vetëm për kompaninë.

“Kompania Rukolli e ka ndërtuar një objekt dhe e ka marrë tokën me koncesion për 40 vjet. Pa kaluar 40 vjet, tash janë 15 vjet që kanë kaluar përafërsisht, dhe tash po duan t’ia vazhdojnë edhe 59 vjet pa asnjë përfitim për komunën. Në momentin që e kanë marrë pronën për 40 vjet, kompania Rukolli është dashtë ta dijë që pas 40 vjetësh duhet t’ia kthejë komunës. Po ky 40-vjetësh ka qenë me gjasë kriteri kryesor që e ka bërë këtë kompani përfituese”, thotë Hysni Mehani.

Opozita në Skenderaj e akuzon pushtetin aktual si të afërt me kompaninë “Rukolli”. Ish-bashkëpartiaku i Fadil Nurës, Nuredin Lushtaku thotë se kompania në fjalë ka qenë financuese e PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale.

“Po interesi dihet thjeshtë, e dinë edhe qytetarët edhe të gjithë se interesi është personal i pushtetarëve dhe i afërsisë me firmën në fjalë, me firmën “Rukolli”, që me siguri ata kanë obligime ndaj firmave e ndaj gjanave që gjatë zgjedhjeve kanë bërë shpenzime shumë të mëdha”, thotë nënkryetari i iniciativës qytetare IDEAL në Skenderaj, Nuredin Lushtaku.

“Po normalisht që kanë financuar fushatat dhe Rukolli është firmë shumë e afërt me pushtetarët e komunës, jo veç sot, por gjithherë. A kanë biznese të përbashkëta a s’kanë, unë nuk mund ta them, se pa pas letra nuk e di, por që janë të afërt dhe që kanë bashkëpunim shumë të mirë, dihet jo veç sot, po prej fillimi që është krijuar kjo firmë”, tha Lushtaku.

Ndonëse në fotografitë e publikuara në media, shihet Rrustem Rukolli në organizimet politike të Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Nura thotë se problem është që në Skenderaj lidhen pas emrave, duke potencuar se në rastin konkret, kompania nuk ka pasur përfitime.

“Kjo është ndërmarrje që është kontraktuar në 2010 diku, nëse nuk gaboj, dhe kjo është ndërmarrja Rukolli, por pikërisht këtu është problemi se ne lidhemi pas emrave dhe pse ka qenë dhe kush ka qenë”, thotë Nura.

“Në rastin konkret nuk ka qenë interesi i kompanisë, nuk ka përfituar kompania absolutisht. Kjo është bërë për arsye se në këtë marrëveshje kontraktuale partner ka qenë komuna dhe investitori privat dhe në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ne kemi lëshuar leje ndërtimore në bazë të destinimit të pronës, siç e përmenda më herët dhe ne kemi obligim si institucion publik ndaj qytetarëve në rastin e tillë”, thotë Nura.

Madje, Lushtaku pretendon që kjo nuk është e vetmja firmë që pushteti në Skenderaj ka obligime ndaj tyre. Megjithatë, për pretendimet e opozitës, Nura thotë se për gjithçka ata mund t’i drejtohen prokurorisë.

“Po ka edhe firma që kanë obligime këta e që e kanë marrë lekun hala pa hy në komunë dhe sot duhet me ja kthy diqysh. Nuk është kjo e vetmja pronë, kudo që prekun në pronë, i bëjnë të njëjtat gjëra”, tha Lushtaku.

“Unë e respektoj mendimin e opozitës. Madje sidomos kur është objektiv ose profesional, por në raste të tilla nuk ia vlen as të humbet kohë. Unë i kam thënë opozitës, për gjithçka urdhëroni, është prokuroria, dhe shyqyr që e kemi prokurorinë. Na hetojnë, janë dokumentet e kemi ligjin përpara dhe ne mbajmë përgjegjësi”, tha Nura.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer