E mërkurë, 23 Tetor, 2024

Organizata D+ kërkon anulimin e tenderit afër 600 mijë eurosh për konsulentë në Vushtrri

Organizata Demokraci Plus (D+), ka kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë që të ndërpres aktivitetin e prokurimit për shërbime konsulentë. Sipas kësaj organizate ai është në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e Prokurimit Publik dhe kontraktimi përmes këtij aktiviteti paraqet keqmenaxhim të parasë publike.

“Komuna e Vushtrrisë në mars të vitit 2024 ka iniciuar tender për kontraktimin e 40 konsulentëve përmes tenderit me numër të prokurimit VU644-24-1704-2-1-1, me vlerë të parashikuar prej 591,841.60 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Rregulloren nr.001/2022 për Prokurimin Publik. Rregullorja, më saktësisht neni 57.2, parasheh që konsulentët përmes procedurave të prokurimit mund të kontraktohen vetëm për ato shërbime që nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, pra për shërbime/pozita që nuk janë të rregullta”, thuhet në reagim.

Sipas Demokraci Plus, Komuna e Vushtrrisë, planifikon të kontraktojë konsulentët, në të gjitha lotet, për pozita të rregullta në drejtori të ndryshme si: të Kulturës, Prokurimit, Legalizimit, Arsimit, Planifikimit hapësinor e Bujqësisë.

“Punët për të cilat pritet të angazhohen janë punë të zakonshme administrative të cilat janë detyrë dhe përgjegjësi e zyrtarëve të punësuar me procedura të rregullta të rekrutimit. Këto punë përfshijnë: koordinim i punëve të Ansamblit të Vushtrrisë, organizimin e aktiviteteve kulturore, planifikim të prokurimit, asistim të anëtarëve të komisioneve vlerësuese, përpilim të raporteve mjekësore dhe kryerja e ekzaminimeve, bashkëpunim me komunitete, të ndihmojnë në hartim të dokumenteve, të kryejnë analiza laboratorike, të shqyrtojnë kushte e leje ndërtimore, të shqyrtojnë kërkesat për leje të legalizimit, etj.”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se Rregullorja për Prokurimin Publik, neni 57.4, sqaron se me konsulent nënkuptohet një specialist i një fushe të caktuar i cili angazhohet në rolin e këshilltarit. “Në këtë aktivitet, komuna në emër të konsulentëve është në proces të kontraktimit të personave me njohuri minimale sepse për këto pozita ka kërkuar shkollim të mesëm ose universitar baçelor dhe përvojë pune një vjeçare, e në disa lote nuk është kërkuar fare përvoja e punës. Me qëllim të shpenzimit të përgjegjshëm të parasë publike dhe respektimit të ligjeve në fuqi, kjo procedurë duhet të anulohet”, thuhet në reagim.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer