Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Klinës me anë të një komunikatë kanë akuzuar qeverisjen e Zenun Elezajt për deshtim të turpshme dhe mospunë, shkruan portali rajoni.org.
“Zenun Elezaj dhe administrata e tij kanë dështuar në mënyrë të turpshme të adresojnë edhe nevojat më themelore të qytetarëve. Prioritetet e një komune duhet të jenë mirëqenia dhe siguria, sidomos në zonat pranë shkollave, por duket qartë se për Elezajn, këto janë fjalë boshe, thuhet në komunikatën e tyre.
Tutje, ata në komunikatën e tyre kanë thënë së është koha që Zenun Elezaj të mbajë përgjegjësi për këto dështime, sepse Klinës i duhet një vizion i ri dhe një përkushtim i sinqertë ndaj qytetarëve!
Komunikata e plotë:
Është e paimagjinueshme që në vitin 2024, rruga pranë shkollës, një zonë që duhet të jetë model i sigurisë dhe funksionalitetit, të shndërrohet në një kënetë pas çdo reshje shiu. Gropat e mbushura me ujë dhe infrastruktura e degraduar jo vetëm që pengojnë qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve, por përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për fëmijët që kalojnë aty çdo ditë.
Zenun Elezaj dhe administrata e tij kanë dështuar në mënyrë të turpshme të adresojnë edhe nevojat më themelore të qytetarëve. Prioritetet e një komune duhet të jenë mirëqenia dhe siguria, sidomos në zonat pranë shkollave, por duket qartë se për Elezajn, këto janë fjalë boshe.
Ky është një tjetër tregues i qartë i një qeverisjeje të paaftë, ku interesat personale dhe neglizhenca vazhdojnë të mbizotërojnë mbi përgjegjësinë publike. Banorët e Klinës meritojnë më shumë – meritojnë një qeverisje që punon për ta, jo një administratë që kthen rrugët tona në burim rreziqesh dhe zhgënjimi.
Është koha që Zenun Elezaj të mbajë përgjegjësi për këto dështime, sepse Klinës i duhet një vizion i ri dhe një përkushtim i sinqertë ndaj qytetarëve!
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra Klinë.