Dje është mbajtur mbledhja e kryesisë së Degës së PDK’së në Drenas mes strukturave dhe nëndegëve, në pajtim me Statutin e PDK-së, shkruan portali rajoni.org.
Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur në rrjetin social “facebook” së në këtë mbledhje janë themeluar Shtabi zgjedhor i Degës, shtabet e nëndegëve dhe janë emëruar koordinatorët nga dega për nëndegë.
Në mesin e të emëruareve ishte edhe Petrit Hajdari.
Mirëpo një ditë pas këtij njoftimi ka reaguar edhe Petrit Hajdari përmes rrjetit social “facebook”.
Edhe Hajdari sikursë Fadil Demaku, ka thënë së askush nuk e ka konsultuar.
“Emërimi im në këtë pozitë, pa kurrfarë konsultimi paraprak, reflekton krejt të kundërtën e asaj çka është e çka duhet të jetë PDK-ja”, ka deklaruar Hajdari në facebook.
Ai zhvillimet e fundit i ka quajtur organizime me tentim të mbulimit të përçarjeve.
“Por, i bëj me dije të gjithë që unë nuk mund të bëhem pjesë e organizmave që në vend se t’i luftojnë përçarjet, përpiqen t’i mbulojnë ato.
Postimi i plotë Hajdarit:
Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës në degën e Drenasit,
Mbrëmë e pashë emrin tim në listën e shtabit zgjedhor të degës së PDK-së në Drenas ku isha emëruar Udhëheqës i Sektorit për Koordinim me Diasporë.
Prej kohësh jam përpjekur me ato mjete që kam pasur në dorë, që ta ndihmoj procesin e përbashkimit, të koordinimit e të kontributit të përbashkët për Partinë Demokratike të Kosovës, së këndejmi Kosovën e veçanërisht Drenasin.
Por, procese të tilla kërkojnë transparencë e gjithëpërfshirje. PDK është e ndërtuar mbi një traditë të konsensusit e të bashkimit që është sa e gjatë aq e lavdishme për shtetndërtimin tonë.
Emërimi im në këtë pozitë, pa kurrfarë konsultimi paraprak, reflekton krejt të kundërtën e asaj çka është e çka duhet të jetë PDK-ja.
Pa fijen e dyshimit që me çdo pjesë të qenies sime, si anëtar i Kryesisë Qendrore dhe si anëtar i PDK-së, unë do ta jap kontributin tim për fitoren e PDK-së.
Por, i bëj me dije të gjithë që unë nuk mund të bëhem pjesë e organizmave që në vend se t’i luftojnë përçarjet, përpiqen t’i mbulojnë ato.
Këtu kemi të bëjmë me tentim për të personalizuar proceset brenda partisë, prandaj unë nuk mund t’i kontribuoj kësaj ideje sepse nuk besoj në të. Nuk do të jem në asnjë pozitë të një shtabi të tillë zgjedhor, por do të jem siç kam qenë çdoherë, kontribues me gjithë çka kam e çka jam, për PDK-në dhe Bedri Hamzën Kryeministër.
I juaji,
Petrit Hajdari