Thursday, November 27, 2025

Pasi e kritikoi Kurtin publikisht, Ministria e Gëvallës i çon kërkesë Presidentes për shkarkimin e shefit të misionit të posaçëm në Vatikan

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka nisur një procedurë që prek drejtpërdrejt një prej emërimeve diplomatike të Presidentes Vjosa Osmani.

Qeveria e Kosovës i ka dërguar Presidentes Vjosa Osmani një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të Vehbi Miftarit, Shef i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan. Kjo vjen pasi Vehbi Miftari pak ditë më parë e kishte publikisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti i cili kishte marrë pjesë në një koncert të Filharmonisë së Kosovës në Vatikan. Miftari kishte shkruar se ishte anashkaluar tërësisht.

 

Kërkesa për lirimin nga detyra të Miftarit është nënshkruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili pretendon se Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, “sjellje të papranueshme” dhe “shkelje të etikës profesionale”, të cilat sipas MPJD-së dëmtojnë integritetin e shërbimit të jashtëm të shtetit.

Në tri dokumente të siguruara nga Demokracia.com, MPJD njofton Presidencën se veprimet e Miftarit përbëjnë shkelje të ligjeve dhe rregulloreve të diplomacisë kosovare.

 

“Fillimisht, më lejoni t’ju shpreh konsideratat e mia më të larta dhe t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona.

Nëpërmjet kësaj shkrese, ju lutem të pranoni arsyetimin lidhur me kërkesën për lirimin nga detyra të Shefit të Misionit të Posaçëm në Vatikan, z. Vehbi Miftari. Lirimi nga detyra propozohet për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të paautorizuara të Shefit në fjalë, sjellje dhe veprime që përbëjnë shkelje të etikës profesionale dhe dëmtojnë integritetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-207, si dhe me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm, Nr. 02/2009, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2014. Mbete mi në dispozicion për të ofruar çdo informacion shtesë mbi arsyetimin e kësaj kërkese, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Me respekt,
Kreshnik Ahmeti
Zëvendësministër në Detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njëren prej letrave.

Vehbi Miftari ka qenë këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani për tri vite, si në Presidencë, ashtu edhe më herët në kohën kur ajo drejtonte Kuvendin e Kosovës.

 

Ai dha dorëheqje nga pozita e këshilltarit në janar 2024, ndërsa pak javë më pas u emërua Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, një detyrë e ndjeshme diplomatike që kërkon pëlqimin e shtetit pritës dhe vendimmarrje të përbashkët mes Presidentes dhe Kryeministrit.

Por tash, vetëm disa muaj pas emërimit, MPJD i kërkon Presidentes Osmani që ta shkarkojë ish-këshilltarin e saj, duke i vënë në lëvizje mekanizmat formalë të diplomacisë.

 

Ky nuk është rasti i parë kur MPJD dhe Presidenca përplasen për diplomatët.

Pak javë pas hapjes së Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari u emërua ambasador (Shef i Misionit). Lajmin e kishte dhënë vetë përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se nga 1 shkurti fillonte punën në Selinë e Shenjtë.

 

Më 12 janar 2024, Presidentja Osmani njoftoi krijimin zyrtar të Misionit të Posaçëm në Vatikan, një mision me rëndësi të lartë politike dhe diplomatike për Kosovën, sidomos në kontekstin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë.

Në vitin 2023, gjatë një vizite me audiencë private te Papa Françesku, Presidentja kishte theksuar se njohja nga Vatikani do të kishte ndikim të rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës dhe për integrimin euro-atlantik.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer