Seanca e sotme në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar, në të cilën seancë ka dhënë dëshminë dëshmitari i 23-të në këtë çështje (me kodin 03827) në sesion privat.
I njëjti ka dhënë përgjigje në pyetjet e prokurores speciale Deborah Mayer si dhe ka dëshmuar përmes video-konferencës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në një moment të seancës është bërë një diskutim ku gjykatësi Charles Smith, ka pyetur mbrojtjen e Thaçit se a pranojnë të bëjnë kundër-pyetje për këtë dëshmitar.
E që, avokati Luka Misetic ka thënë se ‘‘si t’i bëjmë kundër pyetje një dëshmitari që vetëm thotë nuk mbaj mend fare që kam qenë në Qirez’’.
Por që gjykatësi Smith ka thënë se vetëm po i informon se kanë të drejtë të bëjnë këtë gjë.
‘‘Nuk po them se po heqim dorë nga e drejta për të bërë kundër-pyetjet, ne po kundërshtojmë zhvillimin në këtë drejtim se ne nuk mund të bëjmë dot kundër-pyetje këtij dëshmitari’’, tha avokati Misetic.
‘‘Unë po them që keni opsionin, mbase zgjidhni ju çfarë doni të bëni’’, tha më tej gjykatësi Smith.
Andaj, pas konsultimit me kolegët e tjerë, avokati Misetic tha se mbështetur në vendimin e trupit gjykues do të vazhdojë, por se në qoftë se dëshmitari refuzon të jap përgjigje, atëherë do ju kërkojnë trupit gjykues që të vendosin lidhur me kundërshtimin e urdhrit të trupit gjykues për të dhënë dëshmi.
‘‘Nuk e di, kjo është kundërshtim i gjykatës, nuk e di në qoftë se ju mund të vazhdoni që ta detyroni atë që të jap përgjigje pyetjeve tona’’, tha avokati.
Në këto qasje ka ndërhyrë prokurorja Mayer e cila ka thënë se deklarata është pranuar me pyetje të drejtpërdrejta dhe se dëshmitari nuk ka thënë gjatë tërë kohës se nuk i kujtohet apo nuk e di, por se ka dhënë disa përgjigje për pyetjet.
‘‘Atëherë i takon që nuk kemi se si ta pyesim në kundër-pyetje’’, u përgjigj menjëherë avokati Misetic.
Ndërkaq, gjykatësi Smith tha se ‘‘nuk e di si t’ua bëj më të qartë se kaq’’.
Seanca më tej ka kaluar në sesion privat kurse gjykimi do të vazhdojë nesër më 12 shtator.
Fillon dëshminë dëshmitari i 23-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
(Përditësuar, ora 14:00)- Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 23-të në këtë çështje (me kodin 03827).
Planifikohet që Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i nevojitet një orë e gjysmë, ndërsa ekipeve mbrojtëse 6-7 orë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Charles Smith, mbrojtësi i viktimave nuk ka pyetje të planifikuara për këtë dëshmitar.
Pas dhënies së betimit, me të nisur marrja në pyetje e tij, prokurorja speciale Deborah Mayer ka kërkuar që të kalohet në seancë private për të mbrojtur dëshmitarin.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, përfundon dëshminë zyrtari i “Human Rights Watch”
(Përditësuar, ora 13:57)- Zyrtari nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch” (HRW), Frederick Abrahams, ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit
Ai, në ditën e fundit të dëshmisë së tij, të hënën, i është përgjigjur pyetjeve vijuese të mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, mbi bazën e pyetjeve të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitarin e morën në pyetje mbrojtësi i Thaçit, avokati Gregory Kehoe dhe mbrojtësi i Veselit, avokati Ben Emmerson.
Lidhur me ndalimin e dy gazetarëve serbë nga UÇK-ja, avokati Kehoe e pyeti dëshmitarin nëse do e dinin se njëri nga ta ka qenë i përfshirë në krime lufte në Kroaci, a do mendonin se do ishte pjesëmarrës edhe në luftën në Kosovë, e që Abrahams tha se kritika e tyre për këtë çështje ishte e fokusuar nëse ka pasur proces të rregullt ligjor apo jo.
Po ashtu, lidhur me takimin me Thaçin dhe Limajn, ai edhe njëherë konfirmoi se Thaçi ishte prezantuar si shef i drejtorisë politike dhe se sipas tij, dukej se ishte përgjegjës më shumë nga ana politike se ushtarake.
Tutje, dëshmitarit iu paraqit një artikull ku thuhej se gjykimi ndaj gazetarëve është kryer më 30 shtator 1998, kurse në bazë edhe të njoftimit të HRW, këta persona janë deklaruar se kanë humbur më 18 tetor.
Për këtë, avokati tha se këtu flitet për një gjykatë ushtarake derisa Thaçi kishte folur se po përpiqeshin t’i krijonin strukturat civile dhe se Abrahams tha se padyshim se Thaçi ka folur për vështirësitë për krijimin e mekanizmave të duhur.
Dëshmitari u pajtua se Thaçi po përpiqej të bënte të pamundur për të përfaqësuar sa më mirë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para komunitetit ndërkombëtar.
Abrahams po ashtu tha se nuk ka njohuri nëse letrën e 2 dhjetorit 1998, të dërguar pas takimit ta ketë marrë Thaçi.
Kurse për takimin e gushtit 1999, ai tha se ndonëse takimi me Thaçin ishte bërë në gjuhën shqipe, beson se ai ka kuptuar thelbin dhe mesazhet e përgjigjeve të bashkëfolësit.
Ndërkaq lidhur me rolin e Adem Demaçit, avokati Kehoe lexoi një përmbledhje të Prokurorisë për dëshminë e dëshmitarit Rrustem Mustafa- Komandat Remi kur lidhur me ndalimin e një polici serb, ishte vendosur të lirohej pas që Demaçi kishte ndërhyrë dhe se fjala e tij kishte shumë peshë atë kohë.
E që dëshmitari tha se kjo është në përputhje me atë që ka thënë ai sepse sipas tij, Demaçi kishte autoritet moral dhe respektohej fjala e tij, por se Mustafa ka marrë parasysh kërkesën e tij dhe vetë ka vendosur ta lirojë.
Kështu, duke qenë se Demaçi kishte thënë në një konferencë se nuk mund të vendos për çështjen e lirimit të të ndaluarve dhe Thaçi kishte thënë se nuk është e përshtatshme të ndërhynte në autoritete gjyqësore për këtë çështje, avokati Kehoe tërhoqi një paralele krahasimi por se Abrahams tha se ‘‘sa i takon Demaçit nuk kishte kompetencë për të ndërhyrë’’, kurse për Thaçin tha se ai kishte dhënë arsye se s’mund të ndërhynte për të cenuar pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe se lirimi i parakohshëm do ndikonte në reputacionin e UÇK-së.
Por, në vazhdim të kësaj lidhur me rolin e Demaçit, avokati Kehoe lexoi një pjesë nga marrëveshja për unifikim të UÇK-së dhe FARK-ut, ku thuhet se kjo marrëveshje do hynte në fuqi në takim pasues ku do ishte i pranishëm Adem Demaçi.
Sërish Abrahams tha se nuk mendon se është jo në pëlqim me përshkrimin e rolit të tij, pasi sipas dëshmitarit ai ka qenë i rëndësishëm dhe se nuk kishte thënë se nuk ka marrë pjesë në takime.
Tutje, dëshmitari tha se Thaçi kishte dalë me deklarata publike duke dënuar dhunën dhe duke promovuar shoqëri shumë etike.
Në anën tjetër, avokati Emmerson i lexoi dëshmitarit një përkufizim të operacioneve psikologjike, me të cilin dëshmitari u pajtua.
Duke u ndërlidhur me këtë, ai u pyet nëse komunikatave të cilat i kishin kushtuar rëndësi, nuk i kanë trajtuar si të vërteta e që Abrahams tha se thuhet se është e rëndësishme se është nxjerrë nga burimi zyrtar por se kjo është e ndryshme nga saktësia.
Ai u pajtua se mund të manipulohet lexuesi lidhur me forcat apo kjo mund të bëhet për të ndikuar tek armiku.
‘‘UÇK përpiqej me paraqit veten si forcë e ligjshme ushtarake që luftonte për pavarësinë e Kosovës, për këtë s’ka asnjë dyshim, janë përpjekur me paraqit veten si forcë serioze ushtarake’’, tha ai.
Po ashtu, ai tha se Thaçi dhe Limaj kishin thënë se ka pasur drejtori ligjore, duke shtuar se ‘‘nëse ka ekzistuar një drejtori juridike e më pas del se s’ka ekzistuar, ka një numër shpjegues që njëri do ishte se është operacion psikologjik’’.
E që tha se kjo mund të ishte pjesë e përkufizimit, informacion i përzgjedhur që synonte të krijonte përshtypjen se UÇK-ja ishte më e organizuar se që ishte.
Por, shtoi se me kalimin e kohës ka parë më shumë uniformitet dhe koherencë dhe një organizim më të mirë të tyre.
Në vazhdim, Abrahams u përgjigj me ‘‘s’më kujtohet’’ kur iu tha se nuk kanë pasur asnjë dëshmi të pavarur që të vërtetonte ekzistonte e një drejtori juridike në shtator-tetor -nëntor të ‘98-ës.
Sa i përket çështjes së bashkëpunëtorëve, dëshmitari tha se fillimisht ka pasur faj shteti serb për politika diskriminuese kundër popullatës shqiptare, por tha se ekzistonte pikëpamja se UÇK me deklarata të tyre etiketonin persona si tradhtarë, jo besnik, kolaboracionistë apo bashkëpunëtorë dhe sipas analizës së tij, kjo ka nxitur dhunën dhe i ka hapur rrugë dhunës.
Edhe sot vazhdon dëshminë zyrtari i “Human Rights Watch” në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, zyrtari nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”, Frederick Abrahams, po vazhdon dëshminë edhe në seancën e sotme.
Abrahams është në cilësi të dëshmitarit të 22-të në këtë çështje dhe ka dëshmuar në seancën e 5, 6 dhe 7 shtatorit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në seancën e fundit në këtë çështje, pas marrjes në pyetje të dëshmitarit Abrahams nga ana e trupit gjykues, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Veselit kanë kërkuar të bëjnë pyetje plotësuese.
Paraprakisht, prokurori special Alan Tieger kërkoi nga trupi gjykues të diskutohet për kërkesën në pritje për miratim për shtim në listën e prezantimeve nga mbrojtja e që tha se njëri dokument nga ana e tyre kundërshtohet.
Ndërkaq, mbrojtësi i Thaçit, avokat Gregory Kehoe tha se ky dokument është përmbledhje e dëshmisë së dëshmitarit Rrustem Mustafa, e që do përdoret sipas tij sa i takon rolit të Adem Demaçit për të parë a ka përputhje apo a është në koherencë si është kuptuar roli i tij atë kohë.
Trupi gjykues e ka lejuar të njëjtin dokument.
Seanca po vazhdon në sesion publik me pyetjet vijuese nga ekipet e mbrojtëse.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.
Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.
Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.
E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.
Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.