Një rast i pazakontë në prokurimin publik është shfaqur në Komunën e Shtimes, e cila udhëhiqet nga Qemajl Aliu, që vetën e quan “Çlirimtar i Shtimes”. Thuajse të gjithë tenderët për ndërtimin e infrastrukturës gjatë mandatit të tij kanë përfunduar tek e njëjta kompani, shkruan Demokracia.com.
Bëhet fjalë për kompaninë “Dashnim Jashari BI”, me emër tregtar N.T.P. “Ardhmëria”, e cila ka krijuar një “monopol” në marrjen e tenderëve në Shtime. Pas disa muajsh “pauzë”, kjo kompani është kthyer fuqishëm vetëm pak javë para zgjedhjeve, duke fituar pesë tenderë brenda një jave dhe në fillim të kësaj jave.
Një prej kontratave është “Rrënimi i objekteve ndërtimore sipas nevojave të Komunës së Shtimes”, me afat njëvjeçar dhe vlerë 50 mijë euro. Çmimi për njësi i paraqitur nga “Dashnim Jashari BI” ka qenë 2,692 euro. Megjithatë, kontrata mund të përfundojë edhe para një viti, pasi varet nga kërkesat e Autoritetit Kontraktues për prishjen e objekteve.
Kompania ka fituar edhe kontratën për asfaltimin e rrugëve, ndriçimin dhe trotuaret në Gjurkoc, zgjerimin e rrugës “Besim Sopa” dhe dislokimin e fushës sportive, me një vlerë prej 89,743.30 euro.
Në një shumë pothuaj identike, 89,989.16 euro, është nënshkruar kontrata për “Asfaltim të rrugëve, trotuarëve dhe ndriçimit në Rashincë” (rrugët “Lami Beqir Rushiti”, “Rexha”, “Qorrolli”, “Buna” si dhe rivitalizimi i rr. “Haxhiu”). Oferta e Jasharit ka qenë vetëm disa euro më pak se vlera e parashikuar nga komuna – 90 mijë euro.
Një tjetër tender është dhënë javën e kaluar për projektin “Asfaltimi i rrugëve, kanalizimit dhe ndriçimit në Vojnoc” (rr. “Shabani”, “Kurti” dhe “Jashari”), me vlerë 79,974.10 euro, përballë parashikimit prej 80 mijë euro.
Po ashtu, kontrata për “Asfaltimin e rrugëve dhe trotuarëve në Davidoc” (rr. “Emini”, “Zeqë Zeqiri” dhe segmenti i rr. “Ibrahim Rugova”) është fituar nga kompania e Jasharit për 69,962.50 euro – vetëm rreth 40 euro më pak se vlera e planifikuar nga komuna (70 mijë euro).
Në të gjitha këto kontrata, çmimi i ofertës ka qenë shumë afër vlerës së parashikuar nga komuna. Ky është një indikator i qartë që operatori ekonomik fitues mund të ketë qenë në dijeni për vlerën e planifikuar. Sipas praktikave të prokurimit, nëse tenderi ka vlerë mes 10 mijë dhe 125 mijë euro, ndërsa oferta është rreth 97% e parashikimit, atëherë tenderi konsiderohet me “flamur të kuq”.
Një tjetër element i dyshimtë është fakti që në pothuajse të gjitha rastet kjo kompani ka qenë ofertues i vetëm. Kjo shpeshherë është shenjë që kriteret e tenderit janë përshtatur për një operator të caktuar. Për krahasim, mesatarisht në Kosovë janë rreth pesë oferta për një tender publik.
Kompania “Dashnim Jashari BI” është favorizuar vazhdimisht nga Komuna e Shtimes dhe është bërë kontraktori kryesor i saj. Pronar i kompanisë është Dashnim Jashari nga Shtimja, djali i vëllait të Ruzhdi Jasharit. Ky i fundit në zgjedhjet e vitit 2017 ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të komunës, por nuk kishte fituar. Nga viti 2017 deri më 2020 ai ka qenë asamblist i kësaj partie në Kuvendin Komunal të Shtimes.