Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, ka reaguar me një postim pas paraqitjes së kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në emisionin “Rubikon”. Hajdari thotë se ka dashur ta kursejë, por paniku që, sipas tij, e ka kapur Lladrovcin, nuk e lejon më të heshtë, shkruan rajoni.org.
“Kam dashur ta kursej, por kur njeriun e kap paniku, nuk e kursen dot sepse e fundos veten. Ato pak pritshmëri që mund t’i kem pasur nga paraqitja e tij në Rubikon, u fundosën krejtësisht. Realiteti i Lladrovcit është shumë më i dobët se konsideratat që kam pasur për të”, ka thënë Hajdari.
Hajdari thotë se është një nga figurat më të votuara të PDK-së në Drenas që nga themelimi i partisë, dhe në zgjedhjet e fundit lokale ka marrë mbi 9 mijë vota vetëm në këtë komunë.
Postimi:
Kam dashur ta kursej, por kur njeriun e kap paniku, nuk e kursen dot sepse e fundos veten.
Me shkas nga prezentimi në Rubikon i kryetarit në përfundim të mandatit të Drenasit, z. Lladrovci, më duhet të them që nuk kam pasur pritshmëri për ndonjë prezentim dinjitoz, por edhe ato pak pritshmëri që mund t’i kem pasur, Lladrovci mbrëmë dëshmoi që konsideratat e mia për të kanë qenë më të larta se realiteti dhe performanca e tij.
Jam në PDK që nga themelimi dhe s’kam pasur kurrë angazhim tjetër politik. Qytetari i Drenasit që nga viti 2007 e deri sot, në çdo palë zgjedhje që kam marrë pjesë më ka dhënë besimin maksimal dhe kam qenë vazhdimisht kandidati më i votuar në Drenas. Madje, kam qenë asambleisti më i votuar në Republikën e Kosovës.
Edhe në zgjedhjet e fundit, ku unë kam marrë numër absolutisht rekord të votës në Drenas me mbi 9 mijë vota (rreth 17 mijë në Kosovë), e për të cilin proces Ramiz Lladrovci përpëlitet nëpër studio televizive që të marrë meritat e kandidatëve të PDK-së e lidershipit të Memli Krasniqit e të Bedri Hamzës, qytetari i Drenasit ka dhënë konfirmim dhe na e ka treguar vendin secilit.
Qytetarët e dinë: NUK KAM KOMUNË TË DYTË.
Nuk kam dashur, por meqë po e kërkon, po ta them.
Kryetarit në përfundim të mandatit i bëj thirrje të mos fshehehet pas asnjë figure dhe asnjë Komune tjetër. Ka kaluar koha që me insinuata të tilla merret vota. Garën e ka veç me mua dhe humbja e pret prej meje edhe atë në raundin e parë.
As Skënderaj, e madje as Prishtina s’ka qenë preokupim i imi (përveç kur kam themeluar Misionin Konsullor në Slloveni, si Konsulli i parë i Republikës së Kosovës në atë shtet, një punë të vështirë e performancë të shkëlqyer sipas krejt bashkëpunëtorëve e qytetarëve). Gjithmonë ka qenë Drenasi, gjithmonë do të jetë Drenasi.
Sidoqoftë, ndonëse me komunën nën qeverisje, ngaqë e di që i ka lënë fshatra të tëra pa ujë e projekte të rëndësishme pa u zhvilluar, atë e ka kapur paniku.
Të dashur qytetarë,
Nuk kam folur sepse e di që meritoni më mirë. Niveli i debatit me kryetar komune duhet të jetë më i lartë sesa kush kujt ia bën like, e të ngjajshme.
Kur Kryesia e PDK-së, bazuar në Statutin e partisë, vendimin e Këshillit Drejtues dhe Rregulloren e miratuar, do ta do ta marrë vendimin, do ta shpalos programin tim të mirëmenduar e që i shërben qytetarit, edhe atij që s’më ka votuar. Kryetari është i të gjithëve e komuna poashtu.
Krejt Kosovën e dua, por komuna ime është Drenasi. Një, e vetme, e përjetshme.
Thirrja e qytetarëve më ka bindur të kandidoj. Thirrja e qytetarëve është paniku i tij.
I juaji,
Petrit E. Hajdari