Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Petrit Hajdari, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Drenasit, shkruan rajoni.org.
Në një letër publike, Hajdari bëri të ditur se vendimin për të kandiduar e ka marrë pas kërkesave të shumta nga qytetarët e Drenasit, pas dialogjeve të vazhdueshme me ta dhe si rezultat i votës së madhe që ka marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ju keni folur, unë ju kam dëgjuar: PO, DO TË KANDIDOJ PËR KRYETAR KOMUNE”, ka shkruar Hajdari, duke shtuar se këtë hap po e ndërmerr në koordinim me rregulloren e miratuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së.
Petrit Hajdari, i cili angazhimin e tij në PDK e ka nisur përmes strukturave rinore, theksoi se kandidatura e tij synon të sjellë unitet dhe përbashkim në komunë. Ai vlerësoi se Drenasi ka nevojë për një lidership që mobilizon të gjitha energjitë për zhvillim dhe mirëqenie.
Në fund, Hajdari u shpreh i nderuar me besimin e marrë deri më tani dhe bëri thirrje për konfirmimin e kandidaturës së tij nga kryesia dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Bashkë, do t’ia dalim. Bashkë, ka kuptim,” përfundoi ai mesazhin e tij drejtuar qytetarëve të Drenasit.
Postimi:
Të dashur qytetarë të Komunës së Drenasit,
Ju keni folur, unë ju kam dëgjuar: PO, DO TË KANDIDOJ PËR KRYETAR KOMUNE.
Rrugëtimit tim politik me Partinë Demokratike të Kosovës, të nisur me strukturat rinore dhe me vizionin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, po ia shtoj një kapitull të ri. Ky kapitull buron drejtpërdrejt nga kërkesa e madhe qytetare, nga dialogjet e panumërta me secilin prej jush dhe nga vota e fuqishme, masive dhe e papërsëritshme që mora në Drenas më 9 shkurt.
Kam vendosur, duke u bazuar në rregulloren e miratuar me vendim nga Këshilli Drejtues, pika 4 e vendimit, ta deponoj kandidaturën për kryetar të Komunës së Drenasit.
Drenasi ka nevojë për unitet, përbashkim dhe një lidership që i bashkon të gjitha energjitë e elektoratit tonë për një të ardhme më të mirë.
Ndaj bindjen e fortë që hallin e qytetarit të Drenasit, nuk e kam veç unë por e ka edhe PDK-ja jonë. Prandaj, me dashamirësi ndaj projektit tonë të përbashkët, i bëj thirrje përulësisht e me respekt të thellë kryesisë dhe kryetarit të PDK-së që ta konfirmojnë kandidimin tim.
Ky vendim ka qenë një prej vendimeve më të natyrshme që kam marrë, pasi buron nga qytetari, kërkesat, nevojat dhe sfidat e tij. Kryetari i rizgjedhur Memli Krasniqi, kryesia e PDK-së në të cilën jam anëtar dhe Këshilli Drejtues i Partisë e dinë fare mirë që pavarësisht pozitës e llojit të zgjedhjeve ku kam marrë pjesë, për mua prioriteti numër një dhe i patjetërsueshëm ka qenë qytetari i Drenasit tim.
Për këtë komunë do të angazhohem me çdo pjesë të qenies sime, sepse unë besoj që veç shërbimi i jep kuptim të qenit në politikë.
Kësaj komune mund t’i japim më shumë e më mirë.
Ju falenderoj përzemërsisht të gjithë juve që duke ma dhënë besimin më keni mbushur shpresë për qytetin tonë të bukur.
Jam jashtëzakonisht i nderuar të jem me ju dhe pranë jush, në kërkesën fisnike për ta bërë Drenasin tonë një komunë ku jetohet me dinjitet.
Bashkë, do t’ia dalim. Bashkë, ka kuptim.
I juaji përjetësisht,
Petrit E. Hajdari