Rreth 28 piktura janë ekspozuar në qendrën kulturore Gang-Galerie St. Josef në Voitsberg, nën organizimin dhe mbështetjen e gazetarit të njohur austriak, Franz Taucher. Ky i fundit, para hapjes zyrtare, mbajti një fjalim rreth veprave të ekspozuara, duke shprehur mirënjohje për numrin e madh të artdashësve të pranishëm.
Sipas Taucher, mesazhi kryesor i kësaj ekspozite është që publikut austriak t’i prezantohet jo vetëm një art i bukur, por edhe një realitet ndryshe nga rajoni i Weststeiermark-ut, ku përmes teknikës së veçantë të autorit—duke përdorur dhe dhe qymyr—shqiptarët dëshmojnë kontributin e tyre kulturor dhe artistik. “Jam shumë mirënjohës që Haxhi Fejzullahi është pjesë e komunitetit tonë,” u shpreh ai.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë figura të shumta nga fusha të ndryshme si: përfaqësues institucionalë austriakë, politikanë, artistë, poetë, afaristë dhe lobistë pro-shqiptarë.
Vetë autori, Haxhi Fejzullahi, theksoi se ekspozita përmban punime me motive nga jeta në vendlindjen e tij, Kosova, por edhe nga realiteti i përditshëm në Austri, vendi ku jeton dhe vepron tashmë prej vitesh.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është të paraqes jetën e një mërgimtari – që gjithmonë e ka vendlindjen në mendje – në përballje me përditshmërinë në mërgim. Kjo shprehet përmes një bashkëdyzimi të ngjyrave dhe motiveve, që shpesh nuk janë të zakonshme as në Kosovë, as në Austri,” është shprehur Fejzullahi.