Jo rrallëherë konfliktet mes anëtarëve të një familje eskalojnë në sulme brutale e kërcënime serioze. Policia ka intervenuar në shumë raste të tilla, ku të përfshirë kanë qenë motrat, vëllezërit, baballarët e familjarët e tjerë. Kështu ka ndodhur edhe të martën në një familje në Graçanicë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur dje në mbrëmje, kur dy vajza janë kapur me hallën e tyre, e më pas në rast është përfshirë edhe babai i dy të dyshuarave.
Sipas informacioneve të para, fillimisht dy të rejat kanë pasur një zënkë me hallën, e më pas janë përleshur fizikisht si pasojë e një konflikti verbal që kanë pasur.
Sinjali mëson se situata eskaloi kur në shtëpi kishte arritur babai i dy vajzave, i cili u hodh në sulm, duke i rrahur të bijat që u futën në sherr me motrën e tij.
Për pasojë, njëra nga vajzat ka pësuar lëndime të rënda trupore, teksa edhe të dyshuarit e tjerë janë lënduar, për çka kanë marrë trajtim mjekësor në spital.
Rasti është denoncuar edhe në Polici dhe si rezultat i denoncimit, palët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor vetëm ndaj babait të dyshuar, ndërsa rasti është iniciuar edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë.