Një skandal është tentuar të fshihet në Kaçanik. Në këtë rast janë të përfshirë eprorë të lartë policorë, figura politike dhe një biznesmen. Sipas burimeve të Insajderit, zyrtarët policorë të patrullës janë vënë nën presion nga këto figura të fuqishme: Eprori i njohur si “Reksi”, deputeti Enver Hoxhaj dhe biznesmeni Bujar Bela. E gjitha ndodhi për një gjobë.
Si ndodhi rasti?
Më datë 09.07.2025, zyrtarët policorë të patrullës kanë pranuar një denoncim për muzikë live që po shkaktonte zhurmë dhe po shqetësonte banorët.
Zhurma vinte nga një shtëpi private. Personat që ndodheshin aty u thanë policëve se brenda ishin eprorë të lartë dhe se, nëse nuk tërhiqeshin, do të largoheshin nga puna.
Përfshirja e biznesmenit, deputetit dhe eprorit të policisë
Sipas një denoncuesi që ka kontaktuar Insajderi, nga shtëpia ka dalë i pari biznesmeni Bujar Bela.
Ai ka refuzuar ta ndalë muzikën dhe ka sharë zyrtarët policorë, duke i kërcënuar se do t’i largojë nga puna pasi kishte lidhje me zyrtarë me ndikim.
“Tash e thërrasim na shefat e juve dhe ju qesim krejt prej pune,” citohet të ketë thënë Bela.
Nga shtëpia, sipas të njëjtit burim, kanë dalë edhe persona të tjerë që ishin nën ndikim të alkoolit dhe kanë ofenduar policët.
Në konfliktin verbal është përfshirë edhe deputeti Enver Hoxhaj.
Sipas denoncuesit, Hoxhaj ka ndërhyrë në diskutim me zyrtarët policorë që po tentonin të shqiptonin gjobë për mosrespektim të orarit ligjor.
Deputeti i PDK-së, sipas burimit të Insajderit, u është drejtuar me fjalët, “S’bën me dënu ju Bujarin se s’e njihni kush është Bujar Bela. Largohuni kadale, mos të ndodhë ndonjë problem këtu”.
FOTO: Enver Hoxhaj dhe biznesmeni Bujar Bela
Por, ngjarja nuk përfundoi aty.
Në ‘skenë’ doli edhe një person me rroba civile, i cili me ton të lartë tentoi të shfaqte autoritet ndaj zyrtarëve që po përpiqeshin të shqiptonin gjobën.
“A e dini kush jam unë? A e dini që unë menjëherë ju qes prej pune? Kush jeni ju që vini e ja ndalni muzikën Reksit? A e dini që ky Reksi ju qet prej pune menjëherë? Veç që keni ardhë këtu, kam me ju suspendu”
Sipas denoncimit, “Reksi” (Rexhep Sijarina) është një epror i lartë policor.
Ai është munduar edhe fizikisht të i afrohet zyrtarëve të patrullës, por është ndalur nga deputeti Enver Hoxhaj.
Zyrtarët e patrullës, pavarësisht presioneve, kanë shqiptuar tri gjoba dhe kanë raportuar rastin në IPK.
Çka thanë Policia dhe IPK për rastin?
Nga Policia e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, është konfirmuar rasti.
Aty thuhet se ishte një aheng shoqëror dhe policia ka shqiptuar tri kundërvajtje për PRQP.
“Ju njoftojmë se më datën 09.07.2025, rreth orës 23:25, patrulla e stacionit policor në Kaçanik është angazhuar në trajtimin e një rasti që lidhet me prishjen e rendit dhe qetësisë publike (PRQP), për shkak të muzikës me zë të lartë jashtë orarit të lejuar me ligj. Në një shtëpi ku po zhvillohej një aheng shoqëror, policia ka shqiptuar tri kundërvajtje për PRQP”
Policia gjithashtu ka theksuar se, në atë lokacion ishin të pranishëm edhe zyrtarë policorë, është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për të hetuar çdo mundësi përfshirjeje të tyre.
Nga IPK nuk kanë dhënë shumë detaje, por kanë konfirmuar se kanë pranuar informacion për rastin dhe për pretendimin e përfshirjes së një eprori policor.
“Duke iu referuar kërkesës suaj, IPK ju konfirmon se më 10.07.2025, hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacion lidhur me një rast ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’ në Kaçanik, si dhe pretendimin për përfshirjen e një eprori policor në këtë çështje”,thuhet në konfirmimin e IPK-së.
Sipas IPK-së, informacionet janë përcjellë në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave për trajtim fillestar dhe analizë.
“Veprimet e tjera do të ndërmerren në kuadër të autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor,” thuhet në përgjigjen e IPK-së.