Krahas mbeturinave të shumta që një pjesë të qytetit të Skenderajt e kanë shndërruar në deponi bërlloku, vërehet edhe një lloj tjetër mbeturinash.
Shiringa, tableta, gipse e fasha me gjak janë ato çka sheh sapo hedh sytë nga ajo pjesë.
Të shqetësuar, për KIKS-in u shprehën banorët e kësaj lagjeje e madje edhe kalimtarët aty.
Rreziku që kanosin mbeturinat mjekësore po bëjnë Naile Hamitin që të ndërrojë rrugën sa herë që i duhet të kalojë andej pari.
Infektimi është krejt çka kalon nëpër mendjen e 58-vjeçares sa herë që sytë i ndeshen më një pamje të tillë.
Kontakti i fëmijëve me këto shiringa e mbeturina të tjera ishte shqetësimi i secilit qytetar me të cilin KIKS-i bisedoi.
Meraku nuk e kishte lënë të qetë gjithë ditën 78-vjeçarin Rrustem Berisha, i cili nga dritarja e banesës një ditë kishte parë disa fëmijë teksa luanin nëpër ato mbeturina.
E Ekrem Mehmeti, i cili thjesht kishte kaluar nëpër këtë pjesë të lagjes, thotë se asnjëherë nuk do kishte dashur të jetonte afër një hapësire të tillë.
Të një mendimi qytetarët e Skenderajt ishin edhe kur erdhi puna tek institucionet.
Sipas tyre, inspektorati do duhej të reagonte në mënyrë të ashpër në raste të tilla. /Klankosova.tv