E diel, 17 Nëntor, 2024

Policët serbë të dorëhequr po marrin pagë e garanci nga Milan Radojiçiq

Edhe tre policë të Kosovës, të cilët kanë marrë detyrën e tyre shërbyese në korrik të këtij viti kanë dhënë dorëheqje nga policia e Kosovës. Siç merr vesh Paparaci.com, ata po marrin pagë dhe garanci për punë të mëtejshme nga kryekrimineli i veriut dhe njeriu që kontrollon serbët e Kosovës, Milan Radojiçiq. Kjo marrëveshje “gjentelmenësh” midis Radojiçiq dhe policëve të Kosovës është bërë në një mbledhje të mbajtur në Kralevë.

Paparaci.com ka marrë vesh ekskluzivisht nga një polic i Kosovës i cili ka braktisur detyrën e tij, por që ka dashur të mbetet anonim se në Kralevë, pas mbledhjes të cilën e kanë pasur me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq kanë pranuar nga ai pagat dhe garancitë për punë të mëtutjeshme në këmbim të largimit nga policia e Kosovës.

Ndonëse polici në fjalë nuk ka pranuar të japë përgjigje në pyetjen lidhur me shifrën e rrogës të cilën po e marrin nga Radojiçiq, ai është përgjigjur se: “kemi marrë një ofertë e cila nuk refuzohet, jemi shumë të kënaqur”.

Milan Radojiçiq në anën tjetër është super-krimineli i veriut i cili është gjithashtu edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa së fundmi, emri i tij u riaktualizua në opinion pas publikimit të bisedës midis shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Slavko Simiq ku thuhej se Kusari – Lila kishte biseduar në telefon edhe me Radojiçiqin.

Shqetësimin për dorëheqjen e tre policëve të Kosovës nga detyra e kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Sipas shefit të misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, policët që dhanë dorëheqje i ishin bashkuar së voni Policisë së Kosovës.

“EULEX po përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë për të cilën ata shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët e komuniteteve joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë për sigurinë e komuniteteve të tyre përmes patrullimit”, shkroi ai në Twitter.

Shqetësime të ngjashme shprehu edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Ne ritheksojmë përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai në Twitter.

Edhe Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas dorëheqjes së tre policëve serbë në veri të vendit. Davenport tha se ndan shqetësimin me EULEX-in pas dorëheqjes së rekrutëve të rinj serbë në Policinë e Kosovës, teksa shtoi se mbështetja e tyre nuk do të mungojë.

“EULEX-i dhe OSBE-ja kanë punuar së bashku për të mbështetur Policinë e Kosovës për të rekrutuar kadetë nga të gjitha komunitetet joshumicë. Mbështetja jonë për një forcë policore profesionale dhe multientike në Kosovë do të vazhdojë”, tha ai.

Reagim pati edhe nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde. Ai u shpreh se një vend multietnik, kërkon polici multietnike.

”Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime“, ka shkruar ambasadori gjerman.

Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Për të përmbushur vakumin e krijuar pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj. Në korrik 74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë kishin filluar punën në Policinë e Kosovës. Në anën tjetër, autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë çështje.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer