Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të kap 40 telefon të llojit Iphone, në pikën kufitare në Bërnjak.
53 vjeçari i cili ishte duke e vozitur automjetin e dyshimtë e kishte fshehur mallin e kontrabanduar në veturën e tij.
Njoftimi i plotë:
“Policia e Kosovës, respektivisht njësitë e Policisë Kufitare – Veri, me qëllim të luftimit dhe parandalimit të kriminalitetit dhe dukurive të tjera negative, kanë intensifikuar angazhimet operative dhe ushtrimin e autorizimeve policore në terren.
Si rezultat me datën 31.10.2023 rreth orës 10:25, gjatë kontrollit kufitar, në hyrje të pikë-kalimit kufitar Bërnjak, në automjetin Audi ngjyrë hiri me targa të Serbisë, me vozitës S. E., (viti i lindjes
1970), është gjetur një sasi e mallit të fshehur që dyshohet të jetë kontrabanduar: 20 IPHONE 14; 10 IPHONE 14 PRO; 10 IPHONE 14 PRO MAX.
Me autorizim të prokurorit të Shtetit malli i kontrabanduar konfiskohet dhe i dorëzohet Doganës së Kosovës për veprime të mëtutjeshme hetimore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në menaxhimin dhe kontrollin efikas të kufirit shtetëror dhe parandalimin e veprave penale dhe kontrabandës në përgjithësi.