Pas një informacioni të pranuar sot për një përleshje të mundshme fizike ndermjet disa të rinjëve, njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë kanë reaguar me efikasitet, duke parandaluar dhe arrestuar pesembëdhjetë persona të dyshuar.
Rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sotme, pasi Policia përmes rrugëve operative ka arritur të përpunojë informatat me indikacione për një përleshje të mundshme fizike ndërmjet dy grupeve të rinjësh. Angazhimi dhe reagimi i shpejtë i njësive të ndryshme policore ka rezultuar me lokalizimin e dy grupeve dhe ka bërë të mundur parandalimin e përleshjes dhe vendosjen e situatës nën kontroll.
Gjatë veprimeve të ndërmarra, në dy lokacione të ndryshme janë arrestuar pesëmbëdhjete persona të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në përpjekje për përleshje.
Të njëjtit janë shoqëruar në stacionin policor, procedurat e intervistimit po zhvillohen ne prani te prindërve dhe zyrtarëve te Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Procedurat e mëtejme hetimore po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin kompetent.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe raportimin e rasteve që cenojnë sigurinë.