Policia e Kosovës, ka publikuar fotografi të dy personave të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e tyre.
Rasti ka ndodhur më 25 korrik të vitit të kaluar, në ora 12:00, në fshatin Jezerc të Ferizajt.
“Policia Rajonale e Ferizajt, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikimin e fotografive të personave në kërkim, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim identifikimin, vendndodhjen dhe kapjen e personave të dyshuar. Dyshohet se më datën 25.07.2024, rreth orës 12:00, në fshatin Jezerc – Ferizaj, personat e dyshuar kanë kryer veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”. Deri më tani, të dyshuarit nuk janë identifikuar. Prandaj, Policia Rajonale e Ferizajt kërkon ndihmën e qytetarëve që kushdo që ka informacione rreth identitetit apo vendndodhjes së tyre, të njoftojë: -stacionin më të afërt të policisë, -përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, – ose në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.”
