E premte, 15 Nëntor, 2024

Policia shpërblen me 1.1 milionë euro tender pronarin e kompanisë që u akuzua për kequshqyerje të FSK’së

Institucionet publike asesi të shkëputen nga firmat e Ragip Mustafës. Përkundër se biznesmeni që konsiderohet i afërt me LDK’në u akuzua për cilësi të dobët të ushqimit që ofronte në FSK e QKUK, Policia e Kosovës i ka dhënë tender të ri. Atë për ndërtimin e objekteve të Stacionit të PK’së në Zubin Potok dhe Agjencisë për Regjistrim Civil.

Policia e Kosovës me datë 4 tetor ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e objekteve të Stacionit të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) në Zubin Potok.

Kompanitë fituese të këtij tenderi janë “Beni Com” Sh.P.K. dhe “Olti Trasing” Sh.P.K..

Vlera e përgjithshme e kontratës së dhënë është 1.1 milionë euro.

Ky tender ka për qëllim punët e ndërtimit të stacionit policor, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, veçanërisht, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të Zubin Potokut, një zonë në veri të Kosovës me sfida të ndjeshme të sigurisë.

Njëra kompani fituese e tenderit për ndërtimin e Stacionit Policor në Zubin Potok, dhe ndërtimin e objektit të Agjencisë për Regjistrim Civil është në pronësinë e biznesmenit Ragip Mustafa, një person tradicionalisht i lidhur me LDK-në.

Bëhet fjalë për kompaninë “Olti Trasing Sh.P.K”.

Sipas të dhënave në ARBK, Ragip Mustafa është pronar/aksionar i kompanisë “Olti Trasing shpk”, pra kompania fituese.

Ragip Mustafa është një afarist nga Podujeva, i fuqizuar kryesisht përmes tenderëve publikë.

Shpeshherë emri i Ragip Mustafës në të kaluarën është lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe njerëzit e pushtetshëm të saj.

Ndryshe, Ragip Mustafa, është pronar edhe i kompanisë “Beni Dona Plast”, e cila ndër vite u kritikua për cilësinë e ushqimit, të cilën e ofruan për institucione të ndryshme në vend.

Që nga viti 2021, “Beni Dona Plast” është vendosur nën hetime nga Prokuroria e Shtetit në dy raste.

Rasti i parë është në vitin 2021 iniciuar nën dyshimin për falsifikimin e certifikatave ISO në dosjen e tenderit për furnizimin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj kompanisë “Beni Dona Plast”, lidhur me rastin e tenderit të vlefshëm mbi 8 milionë euro në Ministrinë e Mbrojtjes.

Derisa në OSHP po zhvilloheshin beteja në mes të kompanive për ta fituar kontratën 9-milionëshe të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, në lidhje me dyshimet për falsifikim të ISO certifikatave të ofruara nga “Beni Dona Plast”, Task-Forca Anti-korrupsion e Policisë së Kosovës, kishte filluar të grumbullonte informacione për të verifikuar validitetin e tyre, kishte raportuar Evropa e Lirë në vitin 2021.

Rasti i dytë për të cilin është denoncuar “Beni Dona Plast” ka të bëjë me dyshimet për shërbim të ushqimit me afat të skaduar për Njësitin Special të Policisë së Kosovës në në Kampin Belveder, në Lagjen e Bairit në Mitrovicë.

Ngjarja kishte ndodhur më 5 shtator të 2022.

Dyshimet për shërbimin e ushqimit me afat të skaduar për pjesëtarët e Njësisë Elite të Policisë së Kosovës i kishte raportuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të datës 6 shtator, 2022.

Sipas raportit zyrtar të policisë, një aksion i bastisjes në kampin e Njësitit Special të Policisë në Mitrovicë, kishte ngjarë në ditën e denoncimit të rastit.

“Ankuesit kanë njoftuar se nga operatori i kontraktuar janë sjellë produkte me afat të skaduar. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e AUVK-ut dhe, sipas ekzaminimeve të tyre, ushqimet nuk ruheshin sipas standardeve të parapara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhej në raportin e Policisë./Insajderi.org

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer