Thursday, July 3, 2025

Presidenca del me komunikatë pas takimeve me liderët politikë

Pas zhvillimit të një sërë takimesh me liderët kryesorë të partive politike në vend, Presidenca e Republikës së Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, duke njoftuar për nisjen e një cikli të ri konsultimesh të Presidentes Vjosa Osmani lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.

Sipas komunikatës, Presidentja Osmani ka mbajtur sot takime me Kryeministrin në detyrë dhe njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Liderët e këtyre partive, thuhet në komunikatë, kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që, në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit, të arrihet një pajtim për rrugën përpara sa më shpejt që të jetë e mundur, duke respektuar afatin 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në komunikatë rikujtohet që, siç ka theksuar edhe në deklarimet e saj të mëparshme, Presidentja Osmani vlerëson se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti qytetar i 9 shkurtit dëmton vlerat demokratike dhe interesat e shtetit të Kosovës, pengon përfitime të rëndësishme shtetërore dhe zvogëlon besimin e qytetarëve në institucione.

Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe në ditët në vijim, në përmbushje të rolit të saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer