Malush Kelmendi, zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), u arrestua dje nga Krimet Ekonomike nën dyshimin për falsifikim të dokumentit, me qëllim të lirimit të pronave të bllokuara të një biznesi.
Insajderi dje raportoi ekskluzivisht për identitetin e Malush Kelmendit, i cili po dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Siç ka marrë vesh mediumi, Kelmendi është i emëruar në pozitën e zyrtarit të mesëm në Departamentin për Menaxhimin e Mbledhjes së Borxheve në ATK. Kelmendi figuron të jetë emëruar në departamentin për mbledhjen e borxheve që nga një tetori i 2002-ës.
Funksioni i Kelmendit në departamentin në fjalë është “zyrtar i mesëm i mbledhjes së detyrueshme” në Zyrën Qëndrore të ATK-së në Prishtinë.
Zyrtari i arrestuar i ATK-së në deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë figuron t’i ketë në posedim tri toka me sipërfaqe si vijojnë: Tokë 274 metra katrorë në vlerë prej 1,200 eurosh metri, 426 metra katrorë në vlerë prej 1,200 euro dhe tokë tjetër prej 300 metrash katrorë me të njëjtën vlerë të metrit. Të gjitha figurojnë të blera më 2005-ën.
Policia e Kosovës njoftoi të të martën për arrestimin e Malush Kelmendit. Sipas njoftimit të PK-së, i dyshuari me dashje dhe dijeninë e tij, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme duke e keqpërdorur detyrën zyrtare.
“I dyshuari M. K., viti i lindjes 1969, mashkull/kosovar, kishte lëshuar dokument të rrejshëm në emër të ATK-së, me qëllim që një biznesi të caktuar t’i lirohen pronat e bllokuara”, u tha në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, Kelmendi është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim nga ATK-ja për arrestimin e zyrtarit të tyre.