Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, mori pjesë në ‘Gran Galà’ të AIC, ku foli për projektin e tij me kombëtaren italiane, e cila ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Nations League. Ai deklaroi: “Duhet të rregullojmë diçka në aspektin fizik, por karakteri është aty.”
“Më duket se skuadra është në rrugën e duhur. Janë parë gjëra të rëndësishme që na japin shpresë, ndaj duhet të ruajmë atë ritëm. Duhet të jemi të atij kalibri për të luajtur ndeshjet e mëdha,” tha Spalletti për ‘Sky Sport’ gjatë eventit.
Ai shtoi: “Ka disa gjëra që duhen përmirësuar fizikisht, por për sa i përket karakterit dhe mosdorëzimit, kam parë gjëra të rëndësishme. Nuk dua që të mendojnë se janë ndryshe nga ajo që kanë treguar kohët e fundit, vetëm sepse humbën ndeshjen e fundit kundër Francës. Kam shkruar në grupin tonë (në rrjetet sociale) mendimin tim dhe të gjithë morën pjesë në mënyrë të mrekullueshme.”
Nga Nicolò Zaniolo te Francesco Camarda dhe gjendja e futbollit italian, këto ishin disa nga temat që Luciano Spalletti trajtoi në intervistë.
“Zaniolo është një futbollist me potencial të madh. E kam pasur deri në grumgullimet e fundit. Ka aftësinë të luajë si sulmues krahu ose në pozicione qendrore. Ka fizik të mjaftueshëm për të marrë topin me shpinën nga mbrojtja kundërshtare, një cilësi thelbësore për përballjet evropiane. E ndjemë mungesën e kësaj kundër Francës, ndërsa ai e ka këtë aftësi. Për Italinë, ky është një lajm i mirë. Ne kemi zgjedhur të fokusohemi më shumë në lojën qendrore dhe kemi humbur nga vëmendja lojtarë të rëndësishëm si Orsolini, Politano dhe Chiesa, që janë të monitoruar vazhdimisht dhe janë lojtarë krahu. Për këtë arsye, një sulmues qendror duhet të dijë të luajë mirë në mes. Nëse Zaniolo arrin ta bëjë edhe këtë, atëherë do të jetë një mundësi shtesë.”
Duke kaluar te Francesco Camarda, Spalletti ishte i qartë:
“Të gjithë e dimë se ai do të jetë e ardhmja jonë. Nuk e di nëse do të kem mundësinë ta stërvis unë… do të jetë me fat ai që do vijë pas meje (qesh). Një djalë i tillë është më mirë të mbahet disi në hije. Nxjerrja para kohe mund ta vërë në vështirësi dhe t’i krijojë telashe. Ai do të ketë një të ardhme shumë të rëndësishme. Para pak kohësh, shkova të shoh një ndeshje të Milanit dhe, kur ai doli në nxehje, të gjithë tifozët u ngritën në këmbë. Janë djem të rinj dhe nuk e di si reagojnë në situata të tilla. Por ai ka cilësi të jashtëzakonshme.”