Tani e tre dite një ekip ekspertësh të inxhinierisë nga Shqipëria janë duke kryer një studim më të detajuar të fizibilitetit më fshatin Kuqicë të Komunës se Skenderajt, raporton portali rajoni.org.
Burimet e rajonit kanë thënë se ky studim përfshin fizibilitetin e tokës për ndërtimin e pendës.
Po ashtu siç ka mesuar portali rajoni.org, në parametrat e deritanishm, tereni po del i favorshëm për ndërtimin e kësaj digës. Mirepo, mostrat e marra të tokës tani do të dergohen në laboratore të specializuara për hulumtim të detajuar
“Penda e Kuçicës”, sipas ideatorëve të projektit, do të ndërtohet në vendin e quajtur “Kërshi i Dubeçakut” deri tek lagjja Fejzullahu në vendin e quajtu “palluçk”.
Parashikohet që gjerësia e pendës (liqenit) të jetë 200 metra, gjatësia 5 kilometra dhe thellësia 30 metra.
Sipas projektit, në liqenin që do të krijohet në Kuçicë do të mblidhen 25 milionë metra kub ujë, ndërsa mbushja e tij do të zgjasë të paktën 3 deri në 4 vjet.
Hidrocentrali i Kuçicës, sipas projektit të hartuar, do të prodhojë 4.5 megavat energji elektrike.
Kostoja e projektit, siç ishte precizuar, është 25 milionë euro, ndonëse tani janë bërë ndryshime dhe kostoja e projektit mund të jetë edhe më e lartë dhe të shkojë deri në 35 milionë euro. Gjatë realizimit të projektit do të preken shtëpit e lagjes Fejzullahu dhe livadhet që gjenden në mes të dyja bjeshkëve ku do të bëhet diga për ta ndalur ujin e lumit Klina, i cili buron në Stërmc të Epërm të Zubin Potokut.
“Penda e Kuçicës” ishte paraparë të ndërtohet në vitet e ’70-ta
Në vitin 2006 përfaqësues të një konsorciumi austriak kishin ardhur në Kuçicë me qëllimin që ta analizojnë gjithë hapësirën dhe të bisedojnë me autoritetet komunale të Skenderajt dhe me ato qendrore në Prishtinë për zbatimin e projektit.
Por e tëra kishte mbetur vetëm një tentim për të bërë diçka dhe projekti, ndonëse i iniciuar para më shumë se 17 vjetësh, ishte harruar krejtësisht dhe më nuk ishte aktual.
Ndërsa në kohën kur me Skenderajn ka qeverisur Ramadan Gashi projekti i “Pendës së Kuçicës”, i iniciuar nga qeveria e tij komunale, nuk kishte gjetur mbështetje financiare te Qeveria e Kosovës.
Penda e Kuçicës ishte paraparë të ndërtohet edhe në vitet e ’70-ta, para asaj të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, në vendin e quajtur “Palluçka” të Kuçicës.