E enjte, 30 Janar, 2025

Prokurori kërkon dënimin e ish-inspektorit të ndërtimit në Drenas, mbrojtja lirimin e tij

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të enjte është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Drenasit, Fitim Veliqi po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Prokurori i rastit Eset Rama, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruara dhe të njëjtën e ka elaburuar me gojë, duke thënë se pas këtij shqyrtimi gjyqësor dhe administrimit të provave, mbetet në tërësi pranë aktakuzës, e po ashtu është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ai i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtorë dhe ta dënoj sipas ligjit,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në fjalën përfundimtare u deklarua edhe përfaqësuesi i Komunës së Drenasit, avokati Arber Fazliu, i cili tha se e mbështet fjalën e prokurorit Rama, duke theksuar se është vërtetuar mjaftueshëm se i akuzuari Veliqi ka kryer vapën penale për të cilën akuzohet. Edhe ai i propozoi gjykatës që të njëjtin tash shpall fajtorë dhe ta dënoj sipas ligjit.

Fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtja e të akuzuarit Veliqi, avokatja Zahide Gjonaj e cila i propozoi gjykatës që të mbrojturin e saj ta shpallë të pafajshëm.

Në fund, pas dhënies së fjalës përfundimtare të palëve në këtë procedurë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka, e shpalli të mbyllur këtë shqyrtim gjyqësor. Po ashtu, njoftoi palët për datën e shpalljes se aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Fitim Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.

Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer