Prishtinë – Prokuroria Themelore në Prishtinë po kërkon dënimin e dy të akuzuarve për korrupsion Xhafer Ramajt dhe Sheshfet Morinës, ndërsa mbrojtja po kërkon lirimin e tyre në mungesë të provave.
Këto kërkesa, prokurorja Merita Lumezi dhe avokatët Rrezon Hoxha e Ilir Ramaj i paraqitën në seancën e së enjtes në fjalën e tyre përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, dy zyrtarët e Komunës së Drenasit Shefqet Morina dhe Xhafer Ramaj tash pensionist akuzohen se gjatë një periudhe tetëvjeçare, nuk kishin respektuar procedurat ligjore me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore në toka ndërtimore në Drenas.
Prokurorja Lumezi dhe avokatët Hoxha dhe Ramaj fjalën e tyre përfundimtare e dorëzuan me shkrim të cilën e elaboruan shkurtimisht.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Lumezi deklaroi se nga administrimi i të gjitha provave dhe dëshmive në të gjitha seancat e mbajtura gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë.
E njëjta i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Fjalën përfundimtare të prokurores Lumezi e ka mbështetur edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Altina Mulaj, e cila po ashtu fjalën e saj përfundimtare e dorëzoi me shkrim.
Mulaj, po ashtu deklaroi se paraqesin kërkesë pasurore-juridike.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ramaj, avokati Rrezon Hoxha, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, ka thënë se në bazë të provave të administruara në shqyrtim gjyqësor është vërtetuar pafajësia e të mbrojturit të tij. Sipas tij, nuk janë përmbushur elementet qenësore të veprës penale ndaj të Ramajt për të cilën e akuzon prokuroria.
Sipas Hoxhës, pas analizimit të aktakuzës dhe provave të propozuara nga ana e Prokurorisë askund nuk ceket koha por vetëm thuhet nga vitit 2010 si dhe cili është tejkalimi i autorizimeve apo autoritetit zyrtar të veprimeve të ndërmarra.
“Si dhe fare nuk ceket koha, shuma dhe nga kush ka pranuar i mbrojturi im ka pranuar përfitim”, tha tutje avokati Hoxha.
Andaj, i njëjti i ka propozuar gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza në mungesë të provave.
I akuzuari Ramaj, e ka përkrahur fjalën përfundimtare të avokatit Hoxha e i cili tha se beson tek gjykata se do të marrë një vendim të drejtë.
“Kërkoj vetëm drejtësi e drejtësi dhe njëkohësisht shprehu keqardhje me zemër se jam i lëndum, jam lëndu shpirtërisht nga tentativat për me m’vesh një aktakuzë dhe faktikisht vuaj qe 6 vite”, tha i akuzuari Xhafer Ramaj.
Edhe avokati Ilir Ramaj, në fjalën përfundimtare të tij i ka propozuar gjykatës që i mbrojturi i tij Morina të lirohet nga akuza në mungesë të provave.
“Sepse me provat të cilat i keni në shkresat e lëndës nuk mund të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale, në mungesë të provave edhe një herë kërkojë nga ky trup gjykues që të mbrojturin tim ta liroj nga akuza”, tha avokati Ramaj.
Sipas tij, në këtë rast nuk ka pasur asnjë keqpërdorim në asnjë pronë.
Fjalën e tij, e ka përkrahur i akuzuari Shefshet Morina, i cili tha se e ndjen vetën tërësisht të pafajshëm në këtë rast pasi që sipas tij nuk ka pasur të bëjë me keqpërdorim të detyrës.
“Unë nuk kam bërë ndërrim të destinimit por kam bërë vetëm regjistrim të destinimit dhe kërkesat kanë qenë për ndërrim kulture, sepse kjo aktakuzë është bazuar në punën e komisionit e cila ka qenë e padrejtë dhe s’ka vlerësu ashtu siç duhet ”, tha i njëjti.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me 9 tetor 2023.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të gjeodezisë dhe i pandehuri Shefshet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore.
Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.
Sipas prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231,689.00 euro. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.