Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Vojsllav Zdrakoviq, i cili po akuzohet se kishte goditur dhe marrë armën zyrtares policore Valdetet Idrizai, me ç’rast prokuroria ka kërkuar dënimin e tij në përputhje me ligjin, ndërsa mbrojtja lirim nga akuza.
Pas administrimit të provave materiale nga prokurori i shtetit Armend Hamiti, është dhënë mbrojtja nga i akuzuari Zdrakoviq.
Ai ka sqaruar se ditën kritike ka qenë në shtëpinë e tij ku jeton me qera dhe se në këtë ditë kishte qenë i sëmurë me sulm epileptik.
I akuzuari Zdrakoviq ka mohuar se e njeh të dëmtuarën dhe se është hera e parë që e ka parë në sallën e gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, lidhur me armën ai tha se ajo ka qenë e Leotrim Bajramit i cili i kishte thënë se atë e ka nga babi i tij i ndjerë.
Ai tha se arsyeja pse kishte ndërruar shpesh herë vendbanimet ka qenë për shkak se në vitin 2015 kishte pasur tentativë për vrasje ndaj tij në Mitrovicë.
I akuzuari Zdrakoviq tha se gjatë vitit 2016 kishte punuar në Shërbimin Informativ. Kjo ishte edhe arsyeja se pse është njoftuar me Leotrim Bajramin pasi që sipas tij Leotrimi ka mundur të sigurojë armë dhe bari në sasi të madhe dhe se ka tentuar të marrë informacione lidhur me këta persona.
Ndërsa tha se është në vuajtje të dënimit për trafikim me qenë njerëzore.
Lidhur me deklarimin e dëshmitares Nikqi për ikjen e tij nga banesa ai tha se kishte ikur meqenëse pronari i banesës kishte filluar të bërtas sepse kishte parë tymin e marihuanës.
“E kam ditë që ka qenë marihuana aty, për këtë arsye edhe nuk kam dashur të hy fare në evidencë”, ka thënë i akuzuari Zdrakoviq.
Gjatë seancës i akuzuari Zdrakoviq, u deklarua se është fajtor lidhur me pikën IV të aktakuzës që ka të bëjë me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lidhur me pranimin e fajësisë për pikën IV të aktakuzës, prokurori i shtetit, Armend Hamiti u pajtua dhe deklaroi se e njëjta është në përputhje me pikat e aktakuzës dhe mbështetet në provat që gjenden në shkresat e lëndes.
Trupi gjykues mori aktvendim që të aprovohet pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit sa i përket pikës së IV të aktakuzës, pasi që pranimi i tillë mbështetet në provat që janë administruar në shqyrtim gjyqësor.
Paraprakisht në këtë seancë, dëshmitarja Saranda Nikqi ka dhënë dëshminë e saj, duke thënë se të akuzuarin Zdrakoviq e njeh me emër Jeton Zeqiri përmes shokut të saj Leotrim Bajrami.
Ajo tha se deri vonë nuk e kishte ditur se ai është i nacionalitetit serb meqenëse i njëjti ishte prezantuar si shqiptar.
“Folke shqip mirë, por pak me pengesa. Nuk kam mujtë shumë me dallu se ky ka thanë se kam jetu në Gjermani”, tha dëshmitarja Nikqi.
E njëjta ka pohuar se ky person është i akuzuari Zdrakoviq që gjendet në sallë të gjykimit.
Gjithashtu, dëshmitarja Nikqi ka sqaruar se kur kishte qenë në banesën e të akuzuarit Zdrakoviq me një person tjetër me emrin Leotrim, në momentin kur policia kishin shkuar për ta kërkuar.
“Personi në fjalë Vojsllav të cilin e njoh me emrin Jeton, filloi me u panikav dhe frikësuar dhe pastaj i është ik policisë nga hymja kryesore. Gjithashtu edhe Leotrimi është ik dhe jam mbet vetëm unë. Sdi qysh janë ikë”, tha dëshmitarja.
Ajo tha se policia kishin gjetur një qese me marijuanë dhe një fotrollë të armës.
Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët ku prokurori, Armend Hamiti, ka thënë se duke pasur parasysh faktet materiale dhe dëgjimin e dëshmive të dëshmitarëve, u vërtetua përtej dyshimit mirë të bazuar se i akuzuari ka kryer veprën penale “Grabitja” dhe veprën të cilën i njëjti pranoi fajësinë. Kurse lidhur me veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, e njëjta absorbohet në veprën e parë (Grabitja) dhe për shkak të këtij absorbimit, prokuroria hoqi dorë nga kjo vepër penale.
Kurse, lidhur me vepren penale “Grabitje”, prokurori Hamiti i propozoi trupit gjykues që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me Kodin Penal, por në rastin e matjes së dënimit të merret si rrethanë lehtësuese gjendja e tij shëndetësore si dhe e familjarëve të tij.
Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit, Zdrakoviq, avokati Remzush Latifaj deklaroi se fjalën përfundimtare do ta dorëzoj në formë të shkruar dhe se me asnjë provë nuk vërtetohet se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.
Fjalën e mbrojtësit të tij, e përkrahi i akuzuari Zdrakoviq.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 4 mars të 2019-tës, i pandehuri Vojisllav Zdravkoviq me datë 25 nëntor të 2016-ës rreth orës 16:25, në lagjen Dardania, duke përdorur forcë e ka përvetësuar pasurinë e huaj të luajtshme duke iu afruar nga mbrapa tani të dëmtuarës Valdete Idrizi, police e Kosovës, duke e goditur disa herë me shuplaka dhe me përdorim të forcës, nga brezi ia ka marrë armën zyrtare “Glock”, me këllëf, karikator dhe 15 fishekë të kësaj arme. Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 329 paragrafi 1 të KPRK-së.
Pastaj, sipas aktakuzës, i pandehuri me armën që e kishte grabitur nga e dëmtuara, është larguar tre hapa nga ajo, ia ka drejtuar armën në drejtim të të dëmtuarës duke e kanosur seriozisht se do ta përdor armën “Glock”. Kështu, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi i 2-të të KPRK-së
Kurse gjatë muajit nëntor-dhjetor të 2016 në Prishtinë, i pandehuri Vojisllav Zdravkoviq, duke shkelur ligjin e zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse, armën e grabitur “Glock” ia shet personit të quajtur Gani në vlerë prej një mijë euro. Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” nga neni 372 paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu me datë 7 janar të 2017-tës, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë-Kosovë, me rastin e arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, i pandehuri Zdravkovic në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën “boks i hekrit”, Edhe për këtë rast akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 pargrafi 1 të KPRK-së.