E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Publikohen pamje, Sveçla: Radojiçiq ishte prijës i terroristëve ku u vra Afrim Bunjaku

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video me pamje të së dielës, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh i sanksionuari i ShBA-së, Milan Radojiçiq, në oborrin e Manastirit të Banjskës në Zveçan.

Sveçla ka thënë se kryekrimineli Radojiçiq ka qenë udhëheqës i grupit terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka shkruar ai sipër videos.

Ai ka shtuar se harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë.

“Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, ka shtuar Sveçla.

Ai ka thënë po ashtu se ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi.

/KosovaPress/

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer