Opozita në Kuvendin Komunal të Drenasit po e akuzon kryetarin Ramiz Lladrovci për nepotizëm. Familjarë e të afërme të kryetarit po pretendohet se janë rehatuar kryesisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë komunë. Përveç punësimeve, janë hedhur dyshime se edhe tendere me shifra milionëshe kanë kaluar në duart e miqve të kryetarit. Insajderi sjell detajet.
Kështu pretendime janë hedhur nga ish-kandidatë për kryetar të Drenasit. Nga Xhavit Drenori e Driton Ajazi.
Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenas” i tha Insajderit se kompanitë që e ndihmuan Lladrovcin gjatë fushatës zgjedhore tani po “shpërblehen” nga ai.
“Qeverisja lokale e Drenasit është e njëanshme në kuptimin e klientelizmit sepse firmat të cilat e kanë ndihmuar haptazi në zgjedhjet e kaluara, po i marrin edhe tenderët kryesore në komune”, tha ai për Insajderin.
Ai përmend se rastet e punësimeve brenda QKMF-së.
“Konkursi i fundit që ka bërë bujë më së shumti në publik ka qenë në QKMF-në, ku të gjithë që janë pranu në ato vende të punës kanë dalë që janë me lidhje familjare me njerëzit e pushtetit”, ka thënë Drenori.
Për punësimet brenda Qendrës së Mjekësisë Familjare ka folur edhe Driton Ajazi.
Ai ka fajësuar Ramiz Lladrovcin, duke thënë se ai nuk i ka marrë në punë në bazë të kritereve profesionale por kryekëput kanë qenë punësime familjare, ndër ta ka pas edhe familjar të drejtorëve e asamblistëve, pretendon Ajazi.
Përveç kësaj, Ajazi nga partia “Demokratët për Drenasin” ka përmendur edhe emrat konkret po janë fitues të tenderëve milionëshe.
Ai thotë që tenderat kryesor thuajse 80% të tyre i merr kompania e një biznesmeni, e cila mund të verifikohet lehtë në bazë të fotografive të cilat Lladrovci i publikon me të.
“Ky (Mehdi Gjokaj) e ka mbështetë shumë edhe në fushatë zgjedhore e tash po ja kthen obligimet. Ka foto në fushatë që ky personi që po merr tenderë është pjesë aktive e aktivitetit në fushatë zgjedhor”, tha ndër të tjerash Ajazi.
Ai përmend me shifra konkrete se sa para sipas tij i janë dhënë biznesmenit deri tani nga kryetari i Drenasit.
“Veç këtë vit i ka nënshkruar dy kontrata, me datën 30 e 31 maj në vlerë prej 537 mijë euro. Tash është në prag të marrjes së tenderit për zgjerimin e sheshit në vlerë prej 3.5 milion euro, ofertat i kanë hap, por fituesi nuk është shpallë ende”, shprehet kryetari i Demokratëve për Drenasin.
Kjo kompani sipas Ajazit thuhet se ka fituar mbi 20 tenderë vetëm në vitin 2019, ku janë dhënë nga Ramiz Lladrovci.
Të pyetur se si reagon kryetari Lladrovci kur përmenden sipas tyre këto shkelje, Drenori e Ajazi thonë se përgjigja e vetme është se “unë nuk e punësoj kërkon”..