Deputeti i VV-së Visar Korenica sot ka paraqitur kërkesë zyrtare në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë për t`i parë shpenzimet e dedikuar për rezervat shtetërore, për të cilat Nacionale ka raportuar se janë keqpërdorur.
Ai kërkesën e tij e ka bërë në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Në kërkesën e tij, Korenica ka kërkuar qasje për shpenzimet e dedikuara për rezervat shtetëror për periudhën 2021-2023.
Qytetari Blend Zymi ka treguar se deputeti i VV-së për ta bërë këtë kërkesë ka lënë fëmijën e tij në kimioterapi.
“Visar a mujm sot me paraqit kerkesen ne emer tanin per qasje ne dokumenta zyrtare? Visari: jom pak i zanun por takohem per 2 ore e shkojm. U takum me Visarin edhe e paraqitem kerkesen. Per nje moment mendova qe u lehtsova shum pas krejt ksaj dhe te kalumes por kur e kuptova qe Visari e ka lon evladin ne shtrat me Kemioterapi vetem per me mbrojt kauzen qe u ndertu per te cilen e ka marr voten, u shtangova e as nuk po du me hi ma anej sepse kjo s’don koment sepse ju e dini qka dmth kemioterapia”, ka shkruar Zymi.
Deputeti Korenica është i pari që publikisht nga partia në pushtet që efektivisht kërkon llogari për skandalin e vajit për të cilin raportoi gazeta Nacionale.
Ministrja Rozeta Hajdari ende nuk është deklaruar për këtë çështje, ndërkohë që sot ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media por pa treguar se cilën çështje do ta trajtojë.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Nacionale raportoi se hetues nga Policia e Kosovës kishin shkuar në Ministrinë që drejtohet nga znj. Hajdari.
Në audio-incizimet e publikuara nga gazeta Nacionale mes tjerash përmendej Ridvan Muharremi, pronar i një restoranti në Prishtinë në lidhje me vajin e blerë nga Polonia por që dyshohet se nuk kishte ardhur asnjëherë.
Në ato audio-incizime mes tjerash thuhet edhe kjo fjali:
“Ti ministre qat kontratë e ke nënshkru, këqyr se qajo firmë s’t’i ka pru,”
Për të mësuar më shumë ju ftojmë të dëgjoni gjithë video-materialin e mëposhtëm: