Pas reagimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me objektin e Qendrës së Kulturës në Runik, Komuna e Skenderajt ka dalur me një njoftim për opinionin e gjerë publik se kjo qendër nuk ka qenë në planet e komunës qe të rrënohet apo të ndërhyhet në të, por të restaurohet dhe të ruhet si vlerë kulturore dhe e trashëgimisë sonë, shkruan portali rajoni.org.
Në sqarimin e saj, ndër të tjera komuna ka thënë se disponon dokumente zyrtare, madje edhe projekt konkret që dëshmojnë synimin për të ruajtur këtë objekt në tërësinë e tij.
“Ndërkohë që derisa ministria të kthejë përgjigje pozitive, pra që të ndajë mjete financiare për realizimin e projektit, Komuna e Skenderajt ka nisur realizimin e Subqendrës”.
Sqarimi i plotë i Komunës se Skenderajt;
Pas reagimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me objektin e Qendrës së Kulturës në Runik, njoftojmë opinionin e gjerë publik se kjo qendër as nuk ka qenë në plane të rrënohet apo të ndërhyhet në të, por të restaurohet dhe të ruhet si vlerë kulturore dhe e trashëgimisë sonë. Kështu edhe do të ndodh!
Komuna e Skenderajt disponon dokumente zyrtare, madje edhe projekt konkret që dëshmojnë synimin për të ruajtur këtë objekt në tërësinë e tij. Për këtë arsye, Drejtoria e Kulturës e Komunës së Skenderajt i ka dërguar ministrisë përkatëse projektin për restaurim, përpara së të nis realizimi i projektit të Subqendrës.
Proceduralisht është kërkuar nga ministria në fjalë brenda 1 jave që të vlerësohet projekti i restaurimit të kësaj qendre, për çka jemi në pritje të përgjigjes. Ndërkohë që derisa ministria të kthejë përgjigje pozitive, pra që të ndajë mjete financiare për realizimin e projektit, Komuna e Skenderajt ka nisur realizimin e Subqendrës, punime këto që kanë nisur me trajtimin e pjesëve tjera brenda zonës ku parashihet subqendra, më saktësisht përgatitja për rrënimin e objekteve ku operojnë bizneset ekzistuese, e assesi të ketë ndërhyrje në objektin e Qendrës së Kulturës në Runik.
Për hir të së vërtetës, si dhe për të dëshmuar angazhimin tonë që të ruhet kjo trashëgimi, nëpërmjet veprimeve dhe projekteve për restaurim, Ekzekutivi Komunal nuk i ka marrë parasysh kërkesat e disa banorëve që ky objekt të rrënohet.
Në fund të fundit, koha do të dëshmojë se kjo shtëpi e kulturës do të restaurohet dhe do të ruhet si dëshmi faktike e prekshme e një trashëgimie kulturore.