Trepça Sh.A. do të përfitojë edhe 1,13 milion euro nga gjithsej 3 milionë euro subvencione që Ministria e Ekonomisë ka nda për investimet dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes sivjet, ka njoftuar Zëvendësministri Getoar Mjeku.
Ai thotë se marrëveshjen e kanë lidhur me kryeshefin në detyrë, Enis Abdurahmani, dhe drejtorin pën ndërmarrjet publike, Valon Prebreza.
“Trepça si shoqëri aksionare po ristrukturohet për me i ngritë të hyrat, me i ulë shpenzimet dhe me u dhënë minatorëve pagë të dinjitetshme. Ndërmarrja pritet shpejt të miratojë një rregullore të pagave, që kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të prodhimit dhe të hyrave si dhe i shpërblen me bonus kur e tejkalojnë planin”, thuhet në njoftimin e Mjekut.
Ai tutje ka shtuar se “Qeveria e Republikës së Kosovës po i jep Trepçës 20 milionë euro hua për investime në makineri bashkëkohore dhe qëndrueshmëri në punë, çka do të rritë prodhimin dhe efiçiencën e minierave”.
Minatorët e Trepçës kanë protestuar që dy ditë, pasi akoma nuk i kanë marrë pagat e korrikut.