Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për familjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Enver Hadri, të vrarë më 1990 në Belgjikë me urdhër të Shërbimit të Inteligjencës së ish-Jugosllavisë.
Popozimi është paraqitur sot në mbledhjen e qeverisë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Sot paraqes para jush propozimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 100 mijë euro për familjarët e veprimtarit të vrarë, Enver Hadri”, tha ministrja Haxhiu.
Haxhiu u shpreh se përmes zyrës diplomatike të Kosovës në Hagë, autoritetet qeveritare janë në kontakt me familjarët e veprimtarit Hadri.
Vendimi është mbështetur edhe nga Ministria e Financave.
Hekuran Murati, ministri i Financave, tha sot gjatë mbledhjes se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë është aprovuar dhe se mjetet do t’i ndahen familjes së veprimtarit Hadrit nga kategoria e shpenzimeve të paparashikueshme.
Gjykata Penale e Brukselit ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm tre autorët e vrasjes së ish-aktivistit shqiptar nga Kosova, Enver Hadri.
Hetimi që zgjati me vite nxori përfundimin se vrasja ishte politike, e urdhëruar nga shërbimet e inteligjencës së ish-Jugosllavisë, me ndihmën logjistike të nëntokës së Beogradit.
Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq u shpallën fajtorë për ekzekutimin e vrasjes, ndërsa Bozhidar Spasiq u shpall fajtor për dhënien e urdhrit të vrasjes.
Enver Hadri, ish-kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, ishte vrarë më 25 shkurt 1990 në veturën e tij derisa ishte ndalur në semafor në qytetin e Saint-Gilles.