Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë po vazhdon me sukses programin e kujdesit paliativ, duke ofruar qindra vizita në shtëpitë e pacientëve që përballen me sëmundje të rënda.
Ky shërbim, që ofrohet pa pagesë dhe në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, synon të sjellë kujdes të plotë mjekësor, psikologjik dhe emocional për pacientët dhe familjet e tyre – aty ku ata ndihen më të sigurt dhe më të qetë: në shtëpi.
Sipas njoftimit të QKMF-së, ekipet e kujdesit paliativ janë çdo ditë në terren për të ofruar vizita mjekësore, terapi të përshtatura, si dhe mbështetje emocionale e këshillim për familjarët.
“Kujdesi paliativ nuk ka të bëjë vetëm me trajtimin e sëmundjes, por me përkujdesjen për njeriun,” theksohet në njoftim, duke nënvizuar qasjen humane dhe të përkushtuar që ky shërbim synon të ofrojë në çdo rast.
Kujdesi paliativ është një ndër shtyllat më të rëndësishme të sistemit shëndetësor, pasi u ofron pacientëve me sëmundje kronike apo terminale mundësinë për të jetuar me dinjitet dhe në rehati, pavarësisht vështirësive shëndetësore.
QKMF-ja në Mitrovicë fton qytetarët që kanë nevojë për ndihmë ose informata shtesë të kontaktojnë përmes numrit të telefonit +383 45 822 824, duke theksuar se kujdesi ofrohet me zemër dhe profesionalizëm për ata që kanë më shumë nevojë.