Drejtoresha për Buxhet dhe Financa në Komunën e Drenasit, Albulena Saliuka, ka reaguar pas njoftimit të kryetarit Ramiz Lladrovci se ajo është liruar nga detyra.
Në një postim në rrjetet sociale, Saliuka thekson se vendimi për largimin e saj është marrë gjatë kohës kur ajo gjendet në pushim vjetor dhe se ajo vetë kishte ndërmend të tërhiqej nga pozita në momentin që do të publikohej lista zyrtare për Asamblenë Komunale me logon e PDK-së.
“Të dashur miq, ju falënderoj të gjithë juve për mesazhet e panumërta që po interesoheni rreth lirimit tim nga pozita e drejtoreshës. Ky vendim është marrë sot gjatë kohës që jam në pushim vjetor. Në momentin që do të publikohej lista zyrtare për asamble, vetëm me logon e PDK-së, atëherë unë personalisht do të tërhiqesha nga pozita e drejtoreshës,” ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se në çdo pozitë që i është besuar, ka punuar me përkushtim të plotë, guxim dhe shpirt, ndërsa ka falënderuar stafin e drejtorisë, zyrtarët komunalë dhe qytetarët për mbështetjen e dhënë.
“Do të jem zëri juaj i fuqishëm gjithmonë! Gjithmonë PDK,” përfundon reagimin e saj Saliuka.
Më herët gjatë ditës, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Saliuka është liruar nga detyra e drejtoreshës, pasi nuk është pajtuar me vendimin e Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas që asnjë drejtor të mos jetë pjesë e listës për Asamblenë Komunale. Ai tha se të gjithë drejtorët janë pajtuar me këtë vendim, përveç Saliukës.
Lladrovci theksoi se drejtorët komunal nuk duhet të jenë në listë për shkak të epërsisë që mund të kenë ndaj kandidatëve të tjerë dhe për të garantuar një garë të barabartë.