Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, ka publikuar një postim në rrjetin social “facebook” për qytetarët e Drenasit, ku ka përdorur edhe thumba ndaj kundërshtarëve politikë: “Nga lisi që e kanë përpara, disa nuk po e shohin malin”.
Ai ka shkruar se qytetarët e Drenasit tashmë kanë treguar se e dallojnë veprën nga mashtrimi, kampionin nga bedeli, origjinalin nga imitimi.
Lladrovci theksoi se “fitoren nuk mund ta ndalë askush”, ndërsa i ftoi qytetarët të mos bien pre e shpifjeve, përçarjes dhe etiketimeve publike që, sipas tij, po bëhen në media.
Në postimin e tij, Lladrovci iu drejtua edhe liderëve të partive, duke u kërkuar që ta lënë Drenasin në “dimensionin e vet” dhe të fokusohen në degët më të mëdha e kryeqytet.
Postimi:
Prej lisit, nuk po e shohin malin!
Qytetarëve të mirë, atdhetarëve të devotshëm e punëtorë të Drenasit, gjashtë herë kampion të performancës, edhe një herë u vije oferta e lodhtë nga ata që nuk e presin.
Besnikët e Hashim Thaçi e Kadri Veselit, janë besnik të UÇK-së e PDK-së, por jo edhe të “Dadës Razë” e votimit symbyllur.
Qytetarët e Drenasit e dallojnë mirë veprën nga mashtrimi, e dallojnë kampionin nga bedeli, e dallojnë profilin origjinal nga imitimi. Ata, tashmë janë përcaktuar, me 101 arsye, “Për Drenasin Kampion”.
Ftoj qytetarët e komunës së Drenasit të mos bien pre e përjashtimit publik, të mos ndjehen të fyer nga etiketat që ju vihen në media dhe mos e vlerësoni përçarjen, shpifjen apo dezinformimin, sepse, fitorën tonë nuk mund ta ndalë askush.
Ftoj liderët e partive ta lënë Drenasin dhe qytetarët në dimensionin e vet, ashtu siç janë, shihni e bëni propagandë në degët “e mëdha”, duke filluar nga kryeqendra dhe komunat që tashmë i keni ftuar qytetarët pa dallim të votojnë për kryetarët “e suksesshëm” gjë që duan t’i pengojnë qytetarët kampionë ta votojnë kryetarin kampion.
Nga lisi që e kanë përpara, disa nuk po e shohin malin!