Kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas njoftimit se Prokuroria ka nisur shqyrtimin e materialit të audio-incizimit të publikuar ditë më parë. Ai e ka cilësuar këtë si një lajm të mirë, duke theksuar se hetimin për këtë rast e ka kërkuar prej kohësh.
Ai ka shtuar se incizimi i publikuar është i “prerë dhe i ripunuar”, ndërsa sipas tij është regjistruar më 29 maj 2023, pas orës 17:00, në Hotel “Emerald”, ku kanë qenë të pranishëm disa persona, përfshirë edhe autorin e incizimit, Arigon Sinani.
“Hetimet duhet të orientohet në këtë kohë dhe vend, ku kanë qenë të pranishëm: unë, Bekim Lestrani, Hamit Kastrati, Labinot Halilaj, Malësore Cakiqi dhe autori i incizimit, Arigon Sinani”, ka shkruar Lladrovci.
Lladrovci ka akuzuar se publikimi i këtij materiali ka pasur për qëllim shantazhin dhe dëmtimin e imazhit të tij në kulmin e fushatës zgjedhore.
Ai ka bërë të ditur se pret të publikohen edhe incizime të tjera, që sipas tij, do të zbulojnë të vërtetën për autorët dhe qëllimet e atyre që qëndrojnë pas tyre.
Postimi:
Lajmi se po shqyrtohet materiali i audio incizimit nga Prokuroria, është lajm i mirë
E mirëpres këtë veprim, sepse kam kërkuar prej kohësh të bëhet hetim për audio incizimet nga një burim në Drenas dhe për këtë çështje, pas denoncimit tim, Policia e Kosovës kanë mbajtur shënim zyrtar prej kohësh.
Po pres të publikohen edhe incizime të tjera që të zbulohet e vërteta, për autorët dhe qëllimet e këtyre incizimeve.
Shumë njerëz më kanë njoftuar se uzurpatorët e thonë me zë dhe ua emitonin shkurt në vesh incizimet kundër meje me pretendimet se “unë nuk guxoj t’i prek”, sepse mund t’i publikojnë ato.
Audio incizimi i publikuar ditë më parë, është i prerë, i ripunuar dhe është regjistruar më 29 maj 2023, pas orës 17:00, në Hotel “Emerald”, në Restoranin e Katit të pestë.
Hetimet duhet të orientohet në këtë kohë dhe në këtë vend, ku të pranishëm kemi qenë Unë, Bekim Lestrani, Hamit Kastrati, Labinot Halilaj, Malësore Cakiqi dhe autori i audio incizimit, Arigon Sinani.
Shantazhi dhe elementet tjera, si dhe distanca kohore e bën vepër penale.
Publikimi i audio incizimit të gjymtuar, ka për qëllim shantazhin në pikun e fushatës – dëmtim të imazhit, të reputacionit dhe devijimin e vullnetit qytetar në procesin zgjedhor.
Jam në proces të kallzimit penal edhe për shkaktarët e vonesave për rastin e uzurpimit, ndërsa lidhur me audio incizimet e gjymtuara dhe shantazhet, pres nga organet e drejtësisë ta thonë fjalën e tyre.
Besoj në drejtësi!