Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur publikisht përkrahjen e tij për Bedri Hamzën që të marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Në një intervistë në emisionin “Rubikon”, Lladrovci tha se që nga fitorja e zgjedhjeve lokale ka kërkuar dorëheqjen e kreut aktual të partisë, Memli Krasniqi, duke argumentuar se PDK-së i duhet një udhëheqje e re.
Ai e vlerësoi lartë performancën e Hamzës, duke e cilësuar atë si një figurë që ka dëshmuar lidership të fortë dhe aftësi për të rritur mbështetjen për partinë.
“Unë edhe pasi i kam fituar zgjedhejt para mediave dhe në selinë e subjektit tim por edhe në televizione kam thënë qe Memli Krasniqi duhet me dhënë dorëheqje dhe unë mendoj që në krye të PDK-së duhet me ardhë Bedri Hamza. E ka tregu një lidership dhe në zgjedhjet kur i kemi pasë në shkurt të 2025-ës ka arrit me i sjellë vota PDK-së, me rrit votën.” – tha ai.
Lladrovci tha më tej se sot është takuar me kryetarin Hamza, ku kanë diskutuar për rreth 3 orë për të ardhmen e PDK-së.
“Të hënën u bë kryetar, sot jam taku me Bedri Hamzën rreth dy orë e gjysmë. Rreth dy-tri orë kemi bisedu për të ardhmen e PDK-së, proceset, procedurat, për zhvillimet në PDK e kështu me radhë. Edhe me dashtë s’mund të merresh vesh ne takimin e parë sepse ai duhet me bisedu edhe me palën tjetër.”