Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar publikisht qytetarët për përkrahjen dhe mesazhet e shumta pas shpalljes së subjektit të tij të ri politik lokal “PËR DRENASIN KAMPION ME RAMIZ LLADROVCIN”.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka theksuar se ka pranuar mijëra mesazhe urimi dhe ftesa për takime, por ka sqaruar se për momentin është e pamundur t’u përgjigjet të gjithëve personalisht.
Ai ka nënvizuar se fushata ende nuk ka nisur dhe se qytetarët nuk do të shqetësohen me thirrje apo kontakte të tjera pa paralajmërim.
“Ju falënderoj për të gjitha mesazhet përkrahëse, përgëzimet dhe ofrimin e bashkëpunimit. Në pamundësi të përgjigjes ndaj mijëra mesazheve, ju falënderoj të gjithëve, ua kthefshim me të mirë,” ka shkruar Lladrovci, raporton lajmi.net
“Ne ende nuk e kemi filluar fushatën, e as nuk i shqetësojmë qytetarët me telefonata. Për çdo veprim, do të njoftoheni paraprakisht, duke e bërë publike agjendën apo kalendarin e takimeve dhe aktiviteteve,” ka shtuar ai.
Në fund të postimit, ai ka përcjellë mesazhin e tij politik të qartë për qytetarët.
“PËR DRENASIN KAMPION ME RAMIZ LLADROVCIN – JU FALEMINDERIT! BASHKË, VAZHDOJMË +4!”
Lladrovci tashmë ka nisur përgatitjet për garën e radhës në Drenas, këtë herë me një subjekt të ri politik lokal, duke sinjalizuar vazhdimësi në lidership dhe mobilizim për fitoren.