Kryetari i Komunës së Drenasit nga radhët e PDK’së, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje pas deklaratave të bëra në mungesë numrash për formimin e Kuvendit të Kosovës.
Lladrovci ka thënë se ish-presidenti, Hashim Thaçi, kishte krijuar të gjitha institucionet me 58 deputetë.
Ndër të tjera, ai ka propozuar që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ta ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare.
Reagimi i plotë:
Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota
Disave matematika nuk po ju vlen, 48 nuk janë 61. Kur një parti është e para, me 42.2%, ka përgjegjësi për të ftuar partitë tjera më të vogla, për të arritur 50% plus 1, numër i cili i jep kredibilitet për ndërtimin e institucioneve, Kuvendin dhe Qeverinë.
Arroganca e numrave, Kurtin dhe bashkëmendimtarët e tij po e bëjnë të pandjeshëm ndaj gjendjes ku është Kosova, me sanksione dhe varfërinë më të madhe në Evropë. Kurti dhe Vv, kanë rastin të ofrojnë zgjidhje për daljen nga kriza dhe të dëshmojnë se e duan më shumë shtetin se pushtetin.
Krahasimi me Belgjikën rreth vonesave është më shumë se qesharak, GDP-ja e Belgjikës është 60 herë më e madhe se ajo e Kosovës, të ardhurat për frymë i ka 8 deri 9 herë më të larta se në Kosovë, ndërsa nga pavarësia, Belgjika numëron 53 kryeministra e Kosova 13.
Kjo gjendje e Kosovës nuk mund të jetë normale. Kosova nuk mund të matet me shtetet tjera, por, me përvojën e deritashme po. Me 58 deputetë, Hashim Thaçi i krijoi të gjitha institucionet dhe mori njohje ndërkombëtare duke u bërë faktor stabiliteti në rajon.
Kurti ta ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare dhe Kosova të ecë përpara. Nëse i bën 61 vota, lë ta bëj edhe Qeverinë. Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota. Nëse mundeni, prishni atë që vet e keni ndërtuar, jo atë që e ndërtuan të tjerët!