Sheqir Vërsheci është pronari i Autosallonit Iliri, i cili u bastis sot nga Policia më urdhër të Prokurorisë së Ferizajt.
Gazeta Insajderi e ka kontaktuar Vërshecin në autosallonin e të cilit sot zbarkuan Prokuroria, Policia dhe Dogana si pjesë e aksionit “Brezovica”.
“Kurgja nuk ka ndodh aty, ju kisha lut mos u merrni më këtë punë. Ani krejt në rregullu Policia u kanë aty, Dogana ke me i këqyr do kerre a kanë doganë a jo, dhe ju kisha lut mos u merrni me këtë punë”, ka thënë Vërsheci për Gazetën Insajderi.
Ai e ka konfirmuar vetë se është pronar i autosallonit që gjendet në dalje të Prishtinës, rrugës për Ferizaj, konkretisht në Çagllavicë.
“Po, unë jam pronari”, ka thënë biznesmeni vushtrrias, i cili bashkë me vëllezërit e tij kanë në pronësi edhe tri biznese të tjera që merren me ndërtim dhe derivate, sipas Agjenicisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, sipas të dhënave në ARBK, pronar me letra i Autosallinit Iliri, është Ilir Vërshevci.
Gazeta Insajderi raportoi më herët edhe për dy sallone të bastisur. Njëri gjendet në dalje të Prishtinës, rrugës për Ferizaj, konkretisht në Çagllavicë, dhe tjetri në Ferizaj.
Aksioni që ka nisur në orët e hershme të mëngjesit është zhvilluar në qytetin e Prishtinës, Ferizajt dhe Vushtrrisë, për shkak të dyshimit të veprave penale: Fajde, Shmangia nga tatimi dhe Detyrimi.