E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Rehatohet në pozitë të lartë në KEK edhe kryetarja e Organizatës së Grave të Vetëvendosjes

Njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdojnë të marrin pozita të rëndësishme në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Rasti më i freskët është punësimi i Avnora Gashi Berishës si Asistente Ekzekutive për çështje teknike në këtë ndërmarrje.

Gashi Berisha deri para pak muajsh mbante pozitën e kryetares së organiztës “Gratë për Vetëvendosje”, e cila funksionon në kuadër të LVV-së.

Gazeta Infokus ka kontaktuar Avnora Gashi Berishën, e cila e ka konfirmuar punësimin e saj.

“Po, po mund ta konfirmoj. Kam fillu sot prej orës 8”, ka thënë ajo, duke e arsyetuar zgjedhjen e saj.

“Ne pjesë e dikujtë gjithë jemi, nuk e di pse kjo kaq interesant, pse kjo pyetje po bëhet. Po, e kam mbajtë pozitën e kryetares së GVV-së deri diku në shkurt. Kurgjë nuk ka të bëjë kjo, konkursi ka qenë i hapur, anëtarët e komisionit, gjithçka ka qenë legjitime, nuk e di pse po e bëni kaq shumë interesante ose tragjike”, ka deklaruar Gashi Berisha.

E pyetur nëse e sheh problematik faktin që deri vonë ka mbajtur një pozitë drejtuese në partinë në pushtet, kurse tash një pozitë të lartë në KEK, ajo ka thënë se është qytetare e këtij vendi.

“Mfal, çfarë problematike. A jam qytetare e Kosovës? Aty është gjithçka është në rregull, çfarë problematike po ju duket juve, apo po doni ju me e bo problematike”, ka theksuar ajo, duke mos dashur që të flas më gjatë për këtë temë.

E dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë, e ka “furnizuar” KEK-un me punëtorë edhe në raste të tjera.

Ndër ta është edhe kryeshefi i ndërmarrjes, Bekir Gërguri, i cili dikur kishte qenë kandidat për asambleist nga radhët e VV-së.

Gazeta në qershor të vitit të kaluar pati raportuar gjithashtu për punësimin në KEK të aktivistit të VV-së, Valon Prebreza.

Edhe Prebreza ka qenë aktiv në degën e LVV-së në Fushë Kosovë.

Që prej ardhjes në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka rehatuar njerëzit e saj në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ndikimi u vërtetua me publikimin e komunikimeve mes Koordinatores së Komiteteve në VV, Dejona Mihali, me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Nga këto komunikime u vërtetua se Mihali kishte ndikim edhe në reduktimet e energjisë elektrike, e poashtu konsultohej për komunikatat që KEK-u lëshonte për mediat.

Në lidhje me shumë keqpërdorime në KEK, ndaj ish-kryeshefit Nagip Krasniqi, tashmë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer