Wednesday, August 20, 2025

“Reuters”: Bideni i dha ultimatum Netanyahut, Blinkeni edhe më i drejtpërdrejtë

Presidenti amerikan, Joe Biden, praktikisht i dha një ultimatum të enjten kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu: mbroji civilët palestinezë dhe punëtorët e huaj të ndihmave në Gaza ose Ëashingtoni mund ta kufizojë përkrahjen për Izraelin në luftën e tij kundër militantëve të Hamasit.

Kjo porosi, pas disa muajve të thirrjeve të ShBA-së për Izraelin që t’i ndryshojë taktikat ushtarake që kanë lënë të vrarë dhjetëra mijëra palestinezë, erdhi pas një sulmi izraelit që la të vrarë shtatë punëtorë ndihmash të Kuzhinës Qendrore Botërore dhe nxiti reagime globale, raporton agjencia “Reuters”.

Izraeli e ka pranuar kryerjen e sulmit, por ka thënë se kjo është bërë gabimisht.

Shtëpia e Bardhë nuk tregoi se çfarë hapash saktësisht dëshiron që të ndërmerren nga Netanyahu, as se çfarë do të bënte ShBA-ja, nëse kryeministri izraelit nuk i merr ato masa. Megjithatë, analistët thanë se kërcënimi i tërthortë ishte që të ngadalësohet dërgimi i armëve amerikane në Izrael ose të kufizohet përkrahja e Shteteve të Bashkuara për Izraelin në OKB.

Dennis Ross, diplomat veteran amerikan, tash pjesë e Institutit të Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt, tha: “Presidenti, praktikisht, po thotë përmbushi këto nevoja humanitare ose unë nuk do të kem zgjedhje pos që ta kushtëzon asistencën [ushtarake].”

Duke e përshkruar telefonatën mes Bidenit dhe Netanyahut, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan i bëri thirrje Izraelit që “të njoftojë dhe të zbatojë një varg të hapave specifikë, konkretë dhe të matshëm për t’i adresuar dëmin ndaj civilëve, vuajtjet humanitare dhe sigurinë e punëtorëve të ndihmave”.

“Ai bëri të qartë se politika e ShBA-së në lidhje me Gazën do të përcaktohet nga vlerësimi ynë për veprimin e menjëhershëm të Izraelit për këta hapa” – thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ishte edhe më i drejtpërdrejtë.

“Shikoni, do ta them vetëm këtë: Nëse nuk i shohim ndryshimet që duhet t’i shohim, do të ketë ndryshime në politikën tonë” – tha kryediplomati amerikan.

Të enjten në mbrëmje, vetëm disa orë pas telefonatës mes dy udhëheqësve, qeveria izraelite njoftoi disa hapa për ta rritur hyrjen e ndihmave në Gaza, përfshirë hapjen e portit Ashdod dhe pikëkalimin kufitar të Erezit në veri të Gazës si dhe shtimin e ndihmave nga Jordania. Nuk qe e qartë nëse këta hapa do të jenë të mjaftueshëm për t’i plotësuar kërkesat e ShBA-së.

Duke folur në kushte anonimiteti, një burim i afërt me bisedën mes Bidenit dhe Netanyahut tha se telefonata 30-minutëshe ishte e tensionuar kohë pas kohe dhe presidenti amerikan i theksoi shqetësimet e tij, ndërsa Netanyahu e mbrojti qasjen e tij ndaj Gazës.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi bisedën si “shumë të drejtpërdrejtë”, duke thënë se në të u përfshinë edhe nënpresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, këshilltari për Siguri Kombëtare, Jakes Sullivan, dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken./Nacionale

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer