E premte, 25 Tetor, 2024

“Revansh i pastër”: Nënkryetarja Sahatçiu nga PDK i mëshon ashpër Përparim Ramës – koalicioni në Prishtinë drejt prishjes?!

Për një kohë të gjatë në opinionin publik është diskutuar mbi mosmarrëveshjet mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë, të cilat edhe udhëheqin kryeqytetin. Nacionale madje, kohë më parë kishte marrë vesh se ky koalicion ka rrezik të prishet. Dhe…mosmarrëveshjet mes tyre, dolën edhe më shumë në pah.

Gjatë ditës së sotme kryetari Përparim Rama shkarkoi nga puna drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Kjo më pas, do të shkaktonte një reagim të ashpër të nënkreytares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, kjo nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila e akuzoi Ramën se arsyeja e shkarkimit është për “revanshe personale”.

Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se Rama në dhjetor kishte dhënë urdhër për fillimin e procedurave të prokurorimit për digjitalizimin në arsim pa njohurinë e saj, dhe më pas, kjo ka thënë se nuk kishte pranuar ta nënshkruajë.

“Njejtë, Përparim Rama, si Zyrtar Kryesor Administrativ, ka mundur të jep urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullojë menaxhimin e mbeturinave, pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e din ai vetë.” – ka thënë tutje ajo.

Mes tjerash, Sahatçiu ka shkruar se ky shkarkim pa komunikim tek ai dhe të tjerët, është revansh personal.

“Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revash politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale.

Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik.” – ka thënë ajo tutje.

Në fund, Sahatçiu ka deklaruar se më 2 shkurt 2022 iu bashkuan qeverisjes në Prishtinë, por pas dy vitesh, sipas saj përparim Rama filloi “revanshin publik”.

Nacionale muaj më parë kishte raportuar mbi një “sherr” mes partive në pushtet që kishte të bënte me mos-mbështetjen e PDK-së për hartat zonale.

Kryetari i komunës së Prishtinës, qysh në shtatorin të vitit 2022 kishte miratuar vendimin për formimin e një komiteti konsultativ për Hartimin e Planit Zhvillimor dhe Hartës Zonale. Ky plan – që orienton zhvillimin e kryeqytetit – do të ishte tetë-vjeçar.

Pdartia Demokratike e Kosovës kishte ardhur në këtë koalicion komunal pas një rezultati të mirë në zgjedhjet e 31 tetorit 2021.

Kjo parti politike i kishte fituar 9 asamblistë, ose vetëm pesë më pak se LDK-ja. Partia më e madhe në kryeqytet, megjithatë, vijoi të ishte Vetëvendosja që i ka 17 asamblistë.

Vlen të përmendet se prishja e koalicionit do ta linte kryetarin Përparim Rama me një pozitë shumë më të dobësuar në kuvend komunal, me mungesë kontrolli të 1/3 së tij (Kuvendi Komunal përbëhet nga 51 asamblistë).

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer