Mahmut Halimi, avokat i afaristit të arrestuar për keqpërdorim me blerjen e rezervave shtetërore, Ridvan Muharremi, ka thënë se klienti i tij ishte thirrur nga MINT dhe se është takuar me ministren Rozeta Hajdari në zyrën e saj, shkruan Insajderi.
“Zotri Muharremi është kujdes për çështjen me lutjen e MINT. Atë e kanë thirrë nga ministria. Është taku me Rozeta Hajdrin në zyre të saj. Atij i kanë thanë se t’i mundesh me na ndihmu. Ky ka pranu. Dhe përmes një miku të tij turk, i cili është shumë i njohur, biznesmen jashtëzakonisht i njohur në Turqi që ka punuar dy vjet në Prishtina Mall, zoti Ridvan iu ka lut a mundet pasi nga Ministria e kanë thirrur e kanë lutur, ‘ti je biznesmen na ndihmo të gjejmë diku grurë se nuk kemi’, tha Halimi për Insajderin.
Halimi ka treguar se si Ridvan Muharremi ka rënë dakord me biznesmenin turk.
“Ka rënë në kontakt me të, e ka marrë ai turku në shpenzime të veta, kanë shkuar bashkë, e kanë gjetur tregun, e kanë gjetur mallin, ia kanë dërguar Ministrisë për t’i bërë negociatat dhe është arrite mes shitësit dhe blerësit çmimi i shitblerjes dhe është realizuar transaksioni”, tha ai.
Ai ka thënë se në këtë portin e Durrësit në Porto Romano është bërë matja e sasisë, kualitetit dhe parametrave të nevojshëm. Sipas tij, shitësi ka dhënë sasi shtesë për Kosovën. Avokati ka thënë po ashtu se biznesmeni i arrestuar ka njoftuar Qeverinë e Kosovës se malli është nisur nga Turqia dhe “këtu e ka kryer misionin, në shpenzime të veta”.
“Ky i ka kallxu që malli është nisë rrugës, e që do të mbërrijë në Portin Romano. Ky i ka thanë që duhet me qenë i kujdesshëm në heqjen e bllombave, dhe që është mirë me shku me i kqyrë ky, por MINT i ka thanë që nuk ka nevojë se e kemi ne personi që i kryn këto procedura, e i kanë thanë faleminderit prej teje deri qitu”, tha Halimi.
Tutje, avokati ka treguar se Muharremi i kishte thënë MINT të gjejnë personin që ka hequr bllomben e ngarkesës në Porto Romano.
“Për çështjen e 50 tonelatave ma pak, Ridvani i ka thanë ma gjeni personi që e ka hek bllomben në Porto Romano edhe unë e gjejë se çka ka ndodh me mall, se malli prej atje është nisë 10 mijë e 6 ton”, tha avokati.
Pas ardhjes së mallit në Durrës, sipas Halimit, “ka humbur një sasi, brenda suazës së lejuar të humbjes në përqindje”.
“Ndodh gjatë udhëtimit, gruri teret dhe humb peshë dhe është normale, për derivate të naftës e benzinës është e lejuar po ashtu sepse avullohet gjatë transportit. Ajo sasi përputhet në tërësi me dy përqindëshin e lejuar. Janë dy shlepera apo dy maune që s’kushtojnë 12-13 mijë euro. S’e di ku e gjeti Prokuroria 600 mijë euro. Klienti im, as s’ka kryer krim e as s’ka ndihmuar në krim. ‘Krime të tilla’ dhe sjellje të vullnetshme për të kontribuar për vendin tim, klienti im do të kryejë pandalshëm”, tha Halimi për Insajderin.