E enjte, 24 Tetor, 2024

Rikthehet edhe një herë në rigjykim përballja e Telekomit me Devollët – Shpëtohen 5.7 milionë euro në minutat e fundit

Gjykata Komerciale e Kosovës ka shpallur sot aktvendimin e fundit të shkallës së dytë  lidhur me kontestin mes “Dardafon. Net LL.C” dhe Telekomit të Kosovës, duke e kthyer edhe një herë rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Kështu Telekomi i Kosovës nuk do të paguaj 5.7 milionë euro  që po i kërkon përmes një padie kompania e Devollëve “Dardafon. Net LL.C”, e cila tashmë është shuar dhe nuk ekziston si biznes.

Në vendimin që ka siguruar KosovaNews, shihet se gjyqtari i shkallës së dytë Faton Bajrami ka vendosur që ky rast përveç që të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje, obligon që çështjen ta gjykojë një gjyqtar tjetër.

Kjo është hera e tretë që Gjykata Komerciale e shkallës së dytë e merr një vendim të tillë.

Mirëpo kësaj radhe ka obliguar shkallën e parë që të ndërrohet gjyqtari, Alajdin Tërshnjaku, i cili për herë me radhë kishte vendosur të favor të Devollëve dhe obligonte Telekomin për pagesën prej më shumë se 5.7 milionë eurove.

Kujtojmë se Gjykata Komerciale e Kosovës në vendimin e saj për rastin e procedurës përmbarimore mes debitorit – Telekom Kosova dhe kreditorit “Dardafon.net” ka vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016.

Përmes këtij vendimi, Gjykata Komerciale e detyron Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon.net” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafonit”.

Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi veçse kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafonit”.

Sipas Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.

Për këtë rast të përmbarimit ishte bërë një ekspertizë financiare, të cilën e kishte përpiluar eksperti financiar Remzi Ismajli, i cili ishte caktuar nga Organi përmbarues në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale të datës 27 tetor 2022, për nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare.

DOKUMENTE:

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer